Një hetim i gjerë për trafik dhe përdorim të lëndëve narkotike në Stamboll ka vënë në qendër të vëmendjes disa nga figurat më të njohura të showbiz-it dhe biznesit turk, përfshirë aktoren Hande Erçel dhe biznesmenin Hakan Sabancı.
Sipas autoriteteve, Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit ka lëshuar urdhra arresti dhe paraburgimi për 16 persona, në kuadër të një hetimi që përfshin akuza të rënda, nga prodhimi dhe trafikimi i drogës deri te përdorimi i saj dhe nxitja e prostitucionit.
Në listën e të dyshuarve përfshihen gjithashtu ish-drejtues të klubeve të mëdha turke si “Beşiktaş” dhe “Galatasaray”, konkretisht Fikret Orman dhe Burak Elmas, si edhe modele të njohura si Didem Soydan dhe Güzide Duran.
Autoritetet bëjnë me dije se disa prej të përfshirëve janë marrë tashmë në paraburgim, ndërsa të tjerë ndodhen jashtë vendit. Mes tyre është edhe Erçel, e cila aktualisht ndodhet jashtë Turqisë për studime.
Në një reagim publik, aktorja deklaroi se do të kthehet në vend për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të sqaruar situatën: ajo theksoi se e mësoi lajmin nga mediat dhe shprehu besim se e vërteta do të dalë në dritë.
Operacioni konsiderohet pjesë e një hetimi më të gjerë që synon rrjete të lidhura me drogën dhe figura me profil të lartë, duke tërhequr vëmendje të madhe publike dhe mediatike në Turqi.