Industria televizive turke vazhdon të mbetet një nga më të fuqishmet në rajon, jo vetëm për prodhimet cilësore, por edhe për pagat marramendëse të aktorëve kryesorë.
Sipas raportimeve të fundit nga mediat turke, emrat më të paguar aktualisht në botën e serialeve janë Kenan Imirzalioglu, Afra Saraçoglu, Demet Ozdemir dhe Çagatay Ulusoy.
Në krye të listës qëndron Kenan Imirzalioglu, i njohur për rolet e tij në seriale si “Ezel” dhe “Alef”, i cili fiton rreth 117.000 euro për çdo episod.
Ai është prej vitesh një nga figurat më të kërkuara dhe më të respektuara të ekranit turk.
Pas tij vjen Çagatay Ulusoy, ylli i serialeve “The Protector” dhe “Gaddar”, me një pagesë prej 84.000 euro për episod.
Ulusoy është një nga aktorët që ka arritur sukses edhe jashtë Turqisë, veçanërisht falë bashkëpunimeve me platforma ndërkombëtare si Netflix.
Afra Saraçoglu, protagonistja e serialit të njohur “Yalı Çapkını” (Krahu i Pallatit), renditet ndër aktoret femra më të paguara me rreth 65.000 euro për episod, ndërsa Demet Ozdemir, e njohur për rolet në “Erkenci Kuş” dhe “Adım Farah”, fiton rreth 52.000 euro për episod.
Këto shifra tregojnë jo vetëm vlerën e lartë që industria turke u jep aktorëve të saj më të suksesshëm, por edhe ndikimin e tyre të jashtëzakonshëm në tregun ndërkombëtar. Serialet turke vazhdojnë të fitojnë popullaritet në vende si Shqipëria, Kosova, Greqia, Amerika Latine dhe Lindja e Mesme, duke i kthyer këta aktorë në yje globalë.
Përveç pagave të larta, të katër aktorët janë aktualisht të angazhuar në projekte të reja, duke e mbajtur gjallë konkurrencën e fortë në industrinë televizive turke dhe duke dëshmuar se popullariteti i tyre është ende në kulm.