Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio akuzoi Iranin se po tenton “të mbajë botën peng” duke nisur sulme hakmarrëse në Lindjen e Mesme e tha se “po përparojnë sipas planeve” operacionet ushtarake të Shteteve të Bashkuara, me qëllim kufizimin e kapaciteteve të Teheranit.
Si shembull për sulmet e Teheranit ndaj vendeve fqinje, NATO njoftoi se ka rrëzuar një raketë balistike në hapësirën ajrore turke për herë të dytë që kur nisi lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Republikës Islamike.
NATO rrëzoi sërish një raketë të nisur për në Turqi. Jemi të vendosur t’i mbrojmë aleatët ndaj çdo kërcënimi.
Ministria turke e Mbrojtjes e konfirmoi incidentin, duke shtuar se disa fragmente municionesh ranë në tokë në Gaziantep, qytet në jug të Turqisë, afër kufirit me Sirinë. Nuk ka raportime për viktima.
Presidenti amerikan, Donald Trump tha se operacioni ushtarak i nisur kundër Iranit muajin e kaluar do të përfundojë “shumë shpejt” duke u zotuar ta godasë shtetin iranian “shumë, shumë më ashpër” nëse bllokon furnizimet me naftë në Lindjen e Mesme.
Trump reagoi pasi Teherani hodhi një mori raketash e dronësh drejt Izraelit dhe shteteve të Gjirit Arab, disa orë pas emërimit të Mojtaba Khameneit si lider suprem i vendit. Ai pason babanë e tij, Ajatollah Ali Khamenein, i vrarë më 28 shkurt, në sulmet amerikano-izraelite.
Po fitojmë bindshëm. Jemi shumë më përpara nga sa kemi planifikuar, deklaroi Trump në një konferncë për media në Florida. Do të përfundojë shpejt.
I pyetur nëse lufta do të përfundojë këtë javë, sugjeroi se me siguri që jo, por që do të ndodhë shumë, shumë shpejt.
Nuk do të lejoj që një regjim terrorist të mbajë botën peng e të tentojë t’i ndalë furnizimet globale me naftë. Nëse Irani bën diçka në këtë drejtim, ata do të goditen shumë, shumë më ashpër.
Më herët gjatë ditës, Trump iu tha republikanëve në klubin e tij të golfit në Florida se sulmet ajrore ndaj Iranit ishin “një ekskursion i vogël që duhej bërë”.
Ne vetëm kemi fituar në shumë mënyra, por nuk kemi bërë mjaftueshëm.
Për rrjetin CBS, presidenti amerikan u shpreh se e ka në mendje një zëvendësim për Mojtaba Khamenein, por nuk ka përmendur ndonjë emër.
Më herët, iu tha mediave se “nuk është i lumtur” me vendimin e Iranit që Khamenei të ngjitet në krye të shtetit dhe e ka quajtur vendimin “gabim të madh”.