Ndërsa SHBA-të dhe Izraeli vazhdojnë sulmet ajrore ndaj Iranit, me Izraelin që ka goditur gjithashtu Libanin, Republika Islamike nuk ndal goditjet hakmarrëse kundrejt vendeve të Gjirit.
Arabia Saudite njoftoi se interceptoi një raketë balistike dhe pesë dronë gjatë natës.
Ushtria e Kuvajtit bëri të ditur se ka interceptuar dhe rrëzuar me sukses gjashtë dronë.
Pas vdekjes së një 29-vjeçareje në një sulm ndaj kryeqytetit të Bahreinit, Manama, mbrëmë vonë, ky vend aktivizoi sirenat e alarmit dhe iu bëri thirrje banorëve të strehohen.
Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) raportoi sot se po vazhdon të neutralizojë “kërcënimet me raketa dhe dronë” nga Irani e ka vendosur sisteme të mbrojtjes ajrore dhe avionë luftarakë.
Po ashtu, Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se konsullata e tyre në Erbil, në veri të Irakut, u godit nga një dron, duke shkaktuar dëme materiale, fatmirësisht pa të lënduar.
Ministri i Jashtëm iranian, njoftoi se Irani do të vazhdojë sulmet me raketa, për aq sa të jetë e nevojshme, ndërkohë që nga ana tjetër, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump në rrjetin social Truth u shpreh se “lufta do të mbarojë së shpejti’’.
Pas deklaratës së shefit të Shtëpisë së Bardhë, Trump, se luftës po i afrohet fundi, agjencia e lajmeve AFP shkruan se Garda Revolucionare Iraniane u përgjigj duke theksuar se janë ata që “përcaktojnë fundin e konfliktit”.
Gjatë natës, nga sulmet në Teheran humbën jetën më shumë se 40 persona. Viktima të shumta edhe në Liban nga bombardimet izraelite. Ministria e Shëndetësisë libaneze deklaroi se prej 2 marsit, numri i viktimave nga sulmet izraelite në Liban arriti 486 dhe janë 1 mijë e 313 të plagosur.
Në një tjetër zhvillim, Australia pritet të vendosë një avion mbikëqyrës raketash, por edhe një personel mbështetës në Lindjen e Mesme, teksa kryeministri Anthony Albanese iu dha azil 5 futbollisteve të Kombëtares iraniane.
Në Australi ndodhen për të luajtur në Kupën e Azisë e të pesta kërkuan azil, nga frika e persekutimit iranian dhe për mos këndimin e Himnit Kombëtar në një prej ndeshjeve të Kupës së Azisë.