48 orë afat i jep presidenti amerikan Donald Trump, Iranit që “të hapë plotësisht” Ngushticën e rëndësishme të Hormuzit, ose në të kundërtën do të “shkatërrojë” termocentralet e Iranit, një përshkallëzim i madh në luftën që tashmë kërcënon që të dalë jashtë kontrollit.
Këtë afat, Trump e vendosi në orën 19:44, me kohën lokale të Uashingtonit, kur shkroi në Truth Social më 21 mars.
Nëse Irani nuk e HAP PLOTËSISHT, PA KËRCËNIM Ngushticën e Hormuzit brenda 48 ORËSH nga ky moment, Shtetet e Bashkuara do të godasin dhe do të shkatërrojnë plotësisht TERMONCENTRALET E TYRE, DUKE NISUR NGA MË I MADHI, shkroi Trump.
Presidenti nuk specifikoi se cilat termocentrale do të jenë në shënjestër të SHBA-ve e ky paralajmërim vjen një ditë pasi Trump tha se po e shqyrtonte “uljen e intensitetit” të operacioneve ushtarake.
Edhe në kohën kur e bëri këtë deklaratë, Pentagoni po dislokonte mijëra trupa shtesë tokësore në rajon përmes luftanijeve të marinës për të rritur praninë ushtarake në luftën me Iranin, siç raportuan disa media. Pentagoni nuk i ka komentuar zyrtarisht për këto raportime.
Në përgjigje të ultimatumit të Trump-it, komanda e ushtrisë së Iranit, sipas medias shtetërore iraniane, citohet të ketë thënë se nëse sulmohen karburantet dhe infrastruktura e energjisë, e gjithë infrastruktura e energjisë që i përket SHBA-ve në rajon do të shënjestrohet. Irani shtoi edhe se do të shënjestrojë impiantet e desalinizimit.
Megjithëse nuk është bllokuar fizikisht, Republika Islamike e ka bërë këtë rrugë ujore vështirë të kalueshme përmes sulmeve kinetike, minave e luftës elektronike, si dhe duke kërcënuar tregun.
Bllokimi i ngushticës ka kufizuar furnizimet globale, duke çuar në rritjen e çmimeve të naftës në mbarë botën dhe rritur koston e jetesës për qindra miliona njerëz.
Trump ka kërkuar që vendet që e përdorin ngushticën për transportin e burimeve të tyre energjetike të marrin rol udhëheqës në mbrojtjen e kalimin në këtë rrugë ujore, përmes shoqërimit ushtarak të anijeve ose mjeteve të tjera.
Aleatët evropianë të SHBA-ve dhe Japonia kanë shprehur gatishmëri për “përpjekje të përshtatshme” për të siguruar kalimin përmes ngushticës, por shumë kanë thënë se një veprim i tillë do vite vetëm pas një armëpushimi, duke e zemëruar Trump-in, i cili i ka quajtur “frikacakë”.