Një student kinez që u transportua me helikopter nga mali Fuji i Japonisë javën e kaluar, duhej të shpëtohej për herë të dytë vetëm katër ditë më vonë. Alpinisti 27-vjeçar bëri një telefonatë emergjente më 22 prill, pasi u sëmur nga lartësia në shtegun Fujinomiya të malit, rreth 3,000 metra mbi nivelin e detit. Ndodhi jashtë sezonit të ngjitjes në mal dhe zyrtarët u bëjnë thirrje njerëzve të jenë të vetëdijshëm për kushtet tepër të vështira.
Por katër ditë më vonë, policia tha se mori një telefonatë tjetër në mal pasi studenti, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, u kthye për të kërkuar telefonin dhe sendet e tjera të lëna pas. Rasti i studentit kinez shkaktoi zemërim në mediat sociale dhe thirrje që ai të ndiqet penalisht, të paktën për shpëtimin e tij të dytë. Policia e Shizuokës u bëri thirrje të gjithë alpinistëve të tregojnë kujdes, duke vënë në dukje se mali ka temperatura të ulëta dhe është i mbuluar me borë edhe në pranverë.
Shtigjet e ecjes në mal janë zyrtarisht të hapura vetëm nga korriku deri në fillim të shtatorit, por nuk ka ndalim për ecjen jashtë sezonit. Autoritetet lokale vendosën tarifa hyrjeje dhe kufizime për numrin e pjesëmarrësve në shtegun më të njohur vitin e kaluar dhe thonë se do të vendosin rregulla të ngjashme në shtigje të tjera kryesore më vonë këtë vit.