Kryedemokrati Sali Berisha nuk u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme, ndonëse u njoftua se i ka dërguar fletëthirrje për çështjen e 21 Janarit. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi dje se do i përgjigje çdo thirrjeje nga institucionet e drejtësisë, por shtoi se njoftimi do të duhej të vinte si çdo herë tjetër.
Hetimet e SPAK-ut synojnë të zbardhin përgjegjësit dhe zinxhirin e komandës që çoi në përdorimin e armëve të zjarrit ndaj protestuesve.
Kujtojmë se më 30 tetor, kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, u paraqit në ambientet e SPAK-ut. Në datën 21 janar 2011, Lulzim Basha mbante funksionin e ministrit të Brendshëm.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, që prej më shumë se një dekade kërkojnë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre, ndërkohë që është e vetmja vrasje pa autor në ngjarjen e 21 janarit.
Në vitin 2020, Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet edhe vrasjen e Aleks Nikës që kishte mbetur pa autorë për t’i hapur sërish më 2021-shin. Familja e Aleks Nikës ka kërkuar vazhdimisht që kjo çështje t’i kalojë për hetim SPAK-ut, por ky institucion nuk pranonte të hetonte një çështje e cila po hetohej njëkohësisht edhe nga Prokuroria e Tiranës.
Më 14 nëntor 2023, Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se 21 janari ishte krim shtetëror dhe duhet të hetohet si i tillë nga drejtësia shqiptare. Strasburgu vendosi që për çështjen e Aleks Nikës t’i hapej rrugë hetimit të munguar. Me anë të këtij vendimi, familja Nika iu drejtua Gjykatës së Lartë.
U desh një vit që Gjykata e Lartë të dilte më një vendim ku urdhëroi SPAK-un të regjistrojë kallëzimin e familjes Nika e të hetojë 21 Janarin.