Aktualitet

U vra nga vajza, Anesti Rama keqtrajtohej prej saj dhe bashkëshortes/Pranga edhe gruas!

Për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, policia e Fierit arrestoi edhe Valbona Ramën, nënën e Emalinda Ramës, e cila u prangos dje për vrasjen e babait të saj në Frashër. Sipas burimeve policore, Anesti Rama dhunohej sistematikisht në familje, madje e bija dhe bashkëshortja e kishin nxjerrë të jetonte në një dhomë jashtë shtëpisë.

Prej vitesh, viktima punonte në një fermë blegtorale në zonë. Raportohet se shpesh herë paraqitej në punë me shenja në fytyrë, për të cilat thoshte se i ishin shkaktuar nga incidente të ndryshme, por asnjëherë nuk tregonte të vërtetën.

Sot pritet të mbahet seanca për masat e sigurisë ndaj të dyshuarave. Emalinda Rama akuzohet se vrau 56 vjeçarin duke e mbytur me tel dhe me nënën e saj inskenuan ngjarjen si aksident.

Njoftimi i Policisë:

Fier-Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale, për zbardhjen e të gjitha rrethanave të ngjarjes së ndodhur në fshatin Frashër, ku shtetasja E.R. vrau me mjet strangulues, për motive të dobëta, babanë e saj. Arrestohet nëna e 26-vjeçares, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e përgjegjësisë penale në lidhje me këtë ngjarje të bashkëshortes së shtetasit A.R., shtetases V.R., 53 vjeçe, të shoqëruar në Polici menjëherë pas ngjarjes, informojmë se specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të 53-vjeçares, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetes”.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se pas vrasjes, shtetasja V. R. ka ndihmuar vajzën e saj, për të pastruar trupin e 56-vjeçarit, me qëllim që të mos zbulohej e vërteta dhe humbja e jetës të dukej aksidentale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.