Aktualitet

Vrasja e 55 vjeçarit në Fier, sot masa e sigurisë për vajzën 26 vjeçare, nënën e saj dhe të dashurin!

Sot mbahet seanca gjyqësore për autorët e dyshuar të vrasjes makabre të 55 vjeçarit Anesti Rama, në Frashër të Fierit. Tre të akuzuarve që janë vajza e viktimës, i dashuri i saj dhe nëna e 26-vjeçares, njëkohësisht bashkëshortja e Anestit, pritet t’iu komunikohet masa e sigurisë.  Disa orë pas krimit në familje e që Emalinda e Valbona Rama tentuan ta paraqisnin si ngjarje aksidentale, u zbuluan detaje të rënda.

26 vjeçarja e mbyti me tel babanë e saj, teksa ndodheshin në banesën e viktimës. Në momentin e krimit ishin prezentë vajza, mamaja e saj (bashkëshortja e viktimës), si dhe Çlirim Dogani, i dyshuar se ka lidhje intime me Emalindën.

Dyshohet se fillimisht vajza e goditi babanë në organet gjenitale dhe kur ai ra në tokë, Dogani e mbajti nga duart që 26 vjeçarja ta mbyste me tel. Po ashtu ka dyshime se kanë përdorur edhe sende të forta e mjete prerëse.

Ndërkohë, nëna e 26 vjeçares u përfshi në fshehjen e gjurmëve dhe pastrimin e gjakut nga trupi i viktimës. Krimi u zbulua nga përgjimi i telefonit. Emalinda komunikoi me bashkëpunëtorin Dogani, person i martuar dhe baba i dy fëmijëve.