Aktualitet

14 vatra zjarri në 24 orët e fundit në vend, 3 prej tyre ende aktive!

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri në vend. Detajet i dha Drejtori i Gatishmërisë dhe Përgjegjës ndaj Emergjencave pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Robert Hysenllari. Duke iu referuar të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, deklaroi:

Janë angazhuar 190 forca operacionale në terren me 28 mjete, ku përfshihen forcat zjarrfikëse, Policisë së Shtetit, forca vullnetare, trupa të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor si dhe punonjës të emergjencave civile vendore, të cilat bënë të mundur izolimin e plotë dhe shuarjen e vatrave:

-në fshatin Dedaj, Malësi e Madhe, në fshatin Burbullush në bashkinë Vau-Dejës, në fshatin Mashë, në Fshatin Radë dhe në mbikalimin e Fllakës, Durrës, në Tragjas të Vlorës, në Vergo të Delvinës, në fshatin Plashnik i Madh dhe Terpan të Poliçanit, Bogovë të Skraparit, Kodër Krastë të Elbasanit dhe fshatin Kukur të Gramshit.

Aktualisht, janë aktive 2 vatra zjarri në Bërzanë në bashkinë Lezhë ku operacioni nisi që në orën 5 te mëngjesit nga forcat e armatosura dhe forcat e pushtetit vendor për fikjen përfundimtare të vatrave dhe në fshatin Shetaj të Durrësit ku është vetëm një vatër aktive, e cila zhvillohet me intensitet të ulët.

U bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm përgjatë fundjavës, ku sipas Institutit të Gjeoshkencës parashikohen ditë të nxehta në të gjithe vendin dhe rrisku nga zjarret është i lartë.

Mos hidhni në asnjë rast bishtat e cigareve në zona ku ka bar, pasi ekziston mundësia për nisjen e një zjarri! Mos ndizni zjarre në pyje! Nëse ndizni zjarr në kamping, mos u largoni pa u siguruar që është fikur tërësisht!

Pastrimi i kullotave me anë të zjarrit bëhet vetëm me autorizim të ndërmarrjes pyjore të rrethit ku ndodhet kullota.

Ju lutemi qytetarëve raportoni menjëherë vatrat e zjarrit pranë shërbimeve zjarrfikëse, në mënyrë që ato të izolohen sa më parë, për të mos rrezikuar të çojnë në dëme të pallogaritshme. Rikujtojmë se zjarret e qëllimshme ose nga pakujdesia dënohen sipas ligjit.