Celebrities Lifestyle Live From Tirana

“Bëhemi shok të ngushtë me një njeri që e kemi takuar 2 herë…”/Miqësitë moderne parë nga sytë e Tea Dupit!

E ftuar në emisionin “Live from Tirana” ishte blogerja Tea Dupi për të folur rreth një teme që secili nga ne e njeh shumë, qoftë për mirë apo për keq. Aq burim dashurie sa dhe dhimbje, miqësia është një aspekt i detyrueshëm në jetën e çdo njeriu. Fundja fundit, shumë i konsiderojnë miqtë si familja e tyre e dytë.

Fillimisht, ajo u pyet rreth marrëdhënieve që personazhet e showbiz-it kanë me njëri-tjetrin. Selena Gomez ka thënë se femrat janë të këqija me njëra tjetrën dhe në lidhje me këtë Tea tha:

Unë e besoj Selenën. Lufta brenda llojit është më e keqe për femrat. Meshkujt e mbështesin gjithnjë njëri-tjetrin, miqësia midis dy meshkujsh është më e qëndrueshme sesa tek femrat. Ndoshta vjen nga xhelozia, është më e theksuar tek femrat. E kemi parë dhe në reality show si duket lufta kundra femrave dhe çfarë ofendimesh marrin, kurse për meshkujt…

Ajo u pyet për miqësitë e saj personale gjatë jetës dhe nëse ka pasur ndonjëherë shokë apo shoqe të “ngushtë”.

Jam pak skeptike për këtë fjalën. Duhet t’i ndajmë pak këto, bëhemi shok të ngushtë me një njeri që e kemi takuar 2 herë. Ky nuk është një shok i ngushtë. Një mik i ngushtë është ai që nuk shpërndan muhabetin, të dëgjon, të ndihmon dhe është dikush që ti e njeh shumë mirë, ndoshta më mirë se vetja. Këto tema nuk janë të reja, janë trajtuar dhe nga filozofë të lashtë. Pyetje se sa miq ke, a i ke të vërtetë, a të duan, çfarë marrin nga ti dhe çfarë merr ti nga ata janë akoma po aq të rëndësishme sa atëherë. Në momente që ti ke nevojë të marrësh nga ata, kë ke pranë? Kush do të të japë kohën e tyre? E marrin si të mirëqenë, por koha është gjëja më e vlefshme që kemi.

Së fundmi, Tea u pyet nëse beson në miqësinë e vërtetë midis një vajze dhe një djali, duke dhënë një përgjigje shumë argëtuese:

Që vajzat merren vesh me djemtë më mirë, kjo është e vërtetë. Që djemtë të bëjnë të ndihesh mirë dhe komod, është e vërtetë. Që nuk zgjasin shumë, gjithashtu është e vërtetë. Njeriu në vetvete është egoist nga natyra. Një mashkull kërkon diçka nga marrëdhënia që ka me një femër. Mund të kërkojë të dëgjohet, të kuptohet dhe të merret vesh nga dikush tjetër, e kështu vazhdon marrëdhënia e tyre më gjatë sa duhet dhe ai bie në dashuri dhe ja ku u prish miqësia.