Bota

Belgjika, vendi i parë që ndalon cigaret elektronike!

Belgjika do të ndalojë shitjen e cigareve elektronike të disponueshme, të njohura edhe si ‘vapes’, nga 1 janari 2025, pasi mori miratimin nga Komisioni Evropian, njoftoi Ministri Federal i Shëndetësisë.

“Cigarja elektronike shkakton shumë dëme për shoqërinë dhe mjedisin. Ky produkt i dëmshëm kryesisht synon të rinjtë tanë. Prandaj jam i kënaqur që më në fund do të mund ta heqim nga tregu”, tha ministri belg i shëndetësisë Frank Vandenbroucke.

Sipas tij, marketingu për këto ‘vape’ është i orientuar drejt të rinjve, duke i tërhequr ata në duhanpirje.

Edhe pse shitja e cigareve elektronike për të miturit aktualisht është e ndaluar në Belgjikë, përdorimi i tyre është ende i përhapur dhe një inspektim i vitit 2023 tregoi se rreth tre në katër pika shitjesh u shisnin të miturve vapa njëpërdorimshme.

Plani kundër duhanit i Vandenbroucke, i botuar në vitin 2021, tregoi tashmë se autoritetet donin të ndalonin shitjen e cigareve elektronike njëpërdorimshme nga viti 2025, dhe Vandenbroucke në atë kohë kishte paraqitur tashmë rregullore që ndalonin cigaret elektronike të njëpërdorimshme në Komisionin Evropian.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, pirja e duhanit është një nga shkaqet më të mëdha të sëmundjeve dhe vdekjeve të parandalueshme në Belgjikë.

Ndërkohë sipas një studimi britanik nga “Health Public England”,  të publikuar në vitin që lamë pas, Vape është 95 për qind më i sigurt, krahasuar me konsumimin e cigareve tradicionale. Studimi shton më tej se cigaret elektronike janë efektive për njerëzit që duan të lënë duhanin.

Hulumtimi ka gjetur se cigaret elektronike nuk paraqesin rrezik helmimi nga nikotina për përdoruesit, ndërsa thekson se lëngjet elektronike duhet të jenë në paketim “të paarritshëm nga fëmijët”. Shumica e kimikateve që përmban cigarja, nuk janë të pranishme në cigaret elektronike. Nikotina që lëshon në ajër është e papërfillshme, krahasuar me cigaret tradicionale, duke ju mbrojtur jo vetëm ju, por dhe kalimtarët përreth.

Bazuar në këtë raport, “Public Health England” i sugjeron cigaret elektronike si alternativë për t’ju ndihmuar të lini duhanin. Megjithatë, Departamenti britanik vë në dukje rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të të dhënave për konsumimin e cigareve elektronike, ndikimin shëndetësor dhe efektivitetin për lënien e duhanit.