Aktualitet

Certifikatë vaksinimi anti-COVID për të hyrë në lokale edhe në Shqipëri, Qeveria po e shqyrton!

Shumë shpejt, të gjithë ata që janë frekuentues të lokaleve e restoranteve, duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit për të hyrë në to. Masa e re anti-COVID që po aplikohet në disa vende të Europës, po shqyrtohet nga qeveria, që të zbatohet edhe në Shqipëri.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu:

Si hyjnë në një lokal, restorant, bar në Europë? A hyjnë me Green Pass? Do ta vendosim Green Pass-in? Si shkohet në strukturat e tjera të shërbimit? Do ta vendosim Green Pass-in, e vumë në universitete. Koha është tani për të intensifikuar përpjekjet, siç po bëjmë, derë më derë, duke folur me çdo qytetar. Sidomos, duke ndikuar përmes influencuesve e personave që kanë mundësinë për të folur drejtpërdrejt me studentët, që janë vetë studentët e Mjekësisë. Ata po shkojnë në çdo universitet, për të bërë pikërisht ndërgjegjësimin e sensibilizimin.

Deri tani, detyrimi për certifikatat e vaksinimit përfshin stafet mjekësore, mësuesit, pedagogët e studentët.

Në mbledhjen e 22 tetorit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, masat anti-COVID u lanë në fuqi:

Ora policore nga 23:00-06:00.
Qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:

1. Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të ketë të paktën dy javë.
2. Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.
3. Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri. Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.
–  Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentet e sipërcituar, duhet të vetizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
– Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
– Nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 50 personave.
– Vetëm 30 % e kapaciteteve për spektatorë në aktivitete sportive e kulturore.

Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.
Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik. Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritjeje në masën 5 mijë lekë. Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar.