Udhëtarët që fluturojnë brenda dhe jashtë Francës duhet të përgatiten sërish për greva në mbare vendin, të nxitura nga ligji i qeverisë për reformën e pensioneve. “Nga mbrëmja e së dielës deri të martën në mëngjes, priten anulime dhe vonesa fluturimesh në aeroportet e “Paris Orly” dhe “Paris Charles de Gaulle”, si dhe në Marsejë, Lion, Bordo, Nante, Toulouse, Nice dhe Beauvais.
Në Francë, sindikatat po bëjnë sërish thirrje për protesta mbarëkombëtare dhe greve të hënën, që shënon Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Vendimi i qeverisë, i nxitur nga presidenti francez Emmanuel Macron në mes të marsit, për të rritur moshën e pensionit tashmë është kthyer në ligj.
Shpërfillës ndaj protestave, më 15 prill, Macron firmosi ligjin për reformën e pensioneve që rrit nga 62 në 64-vjeç moshën e daljes në pension në Francë. Në këtë mënyrë, shefi i Elizesë zgjodhi të sfidojë tre muaj protesta, si dhe zotimet e sindikatave se nuk do ta zbatojnë vendimin e ri. Ligji hyri në fuqi menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare të Francës.
Ky publikim u bë disa orë pasi Këshilli Kushtetues vendosi t’i japë dritën jeshile ligjit. Beteja për të nënshkruar këtë ligj u kthye në sfidën më të madhe për Macronin, përgjatë mandatit të tij të dytë si president. Madje, një çështje e tillë i ka kushtuar rënien e popullaritetit.
Sondazhet kanë treguar se dy në tre franceze janë kundër vazhdimit të punës për dy vjet më shumë. Por, Macron nuk u tërhioq dhe ndryshimet i konsideron “të domosdoshme”, për të shmangur defiçitin në buxhetin e pensioneve, i cili sipas parashikimeve mund të arrijë në 13.5 miliardë euro deri në vitin 2030.
Prej muajsh Franca është tronditur nga protestat për reformën e kundërshtuar të pensioneve, manifestime që kanë çuar në përleshje, dhunë të herëpas’hershme, zjarrvënie, vonesa në pastrimin e mbeturinave e madje edhe në anulimin e një vizite të mbretit të Anglisë, Charles III për arsye sigurie.