Një ditë pas afatit të fundit të dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë nga partitë politike, reagon Komisioneri Shtetëror. Në një postim në Tëitter, Ilirjan Celibashi bën të ditur se “Menjëherë pas dorëzimit të listave shumëemërore nga subjektet zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar verifikimin e dokumenteve të kandidimit”.
Celibashi informon se “Verifikimi i formularëve të vetëdeklarimit (dekriminalizimi) po bëhet në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile e atë të Burgjeve”. Mes atyre që depozituan lista shumëemërore janë Partia Socialiste, Koalicioni “Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim”, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Socialdemokrate e Lëvizja për Ndryshim.
Në afatin e fundit që përfundoi në mesnatë, partitë politike dorëzuan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat e kandidatëve për deputetë në 12 qarqe. Në kampin socialist, kryeministri Rama do të kandidojë në Vlorë e në Durrës, i 8-ti. Në listën e socialistëve për zgjedhjet e 25 prillit bie në dy vendosja në vende jo të sigurta e emrave të vjetër si Mimi Kodheli, Pandeli Majko e Fatmir Xhafa.
Ndërkaq, nuk u përfshinë Elva Margariti, Sandër Lleshaj, Sadri Abazi, Elona Gjebrea, Ditmir Bushati apo Adnor Shameti, Senida Mesi e Anastas Angjeli. Po ashtu ka përfaqësues të Opozitës parlamentare, jo në në vende të sigurta. Sa i përket prurjeve të reja, në Tiranë udhëheqin listën inxhinierja Luljeta Bozo e mjekja Najada Çomo.
Partia Demokratike nuk i bëri publike emrat e kandidatëve për deputetë por në listat e dorëzuara në KQZ mungojnë Endri Hasa, Xhemal Gjunkshi, Florian Mima, Genc Pollo, Klevis Balliu. Çlirim Gjata e Gent Strazimiri kandidojnë në Tiranë, jo në vende të sigurta. Listën e këtij qarku e udhëheq kryedemokrati Basha, i cili po në Tiranë iu ka siguruar vende të sigurta aleatëve Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Dashamir Shehi e Vangjel Dule.
Po në Tiranë, ish-kryeministri Berisha renditet i 5-ti. Në listën e Shkodrës demokristiani Nard Ndoka është i 8-ti. Gjithashtu, kandidojnë për deputetë emra të skualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve në selinë blu, si Ervin Salianji në Korçë, Tritan Shehu ne Gjirokastër apo Luan Baçi në Fier. LSI-ja i dorëzoi listat e saj dje rreth mesdite. Kryetarja Monika Kryemadhi është në krye të tyre në qarqet Elbasan, Fier e Tiranë.