Health & Beauty Lifestyle

Lënia e duhanit ul në mënyrë drastike rrezikun e kancerit në çdo moshë…/Studim!

Lënia e duhanit zvogëlon rrezikun e kancerit në çdo moshë, sipas studimit të fundit të shkencëtarëve koreano-jugorë. Hulumtimet kanë treguar se shanset për të zhvilluar kancerin zvogëlohen me 50% të paktën 15 vjet pas lënies së duhanit. Studimi zbuloi gjithashtu se rreziku i kancerit të mushkërive bie edhe më shumë, veçanërisht për ata që e lënë duhanin para moshës së mesme.

Studiuesit analizuan të dhënat mjekësore të gati tre milionë qytetarëve të Koresë së Jugut të cilët kishin kontrolle shëndetësore nga viti 2002 e tutje dhe regjistruan raste të kancerit, duke përfshirë tumoret e mushkërive, mëlçisë dhe stomakut deri në vitin 2019. Gjatë studimit, rreth 200,000 njerëz u diagnostikuan me kancer.

Hulumtimi u krye nga Qendra Kombëtare e Kancerit që ndodhet afër Seulit. Pas një ndjekjeje mesatare prej 13 vitesh e pesë muajsh, rreziku i kancerit të mushkërive tek ata që e kishin lënë duhanin ra me 42%, me një rënie më të vogël prej 27% për kancerin e mëlçisë dhe 14% për kancerin e stomakut krahasuar me ata që vazhduan të pinë duhan.

Sipas studimit, duhanpirësit që e lanë duhanin para moshës 50 vjeç kishin një rrezik 57% më të ulët të kancerit të mushkërive gjatë periudhës së ndjekjes krahasuar me ata që vazhduan të pinë duhan. Ata që e lanë duhanin në moshën 50 vjeç e lart kishin një ulje prej 40% të rrezikut të kancerit të mushkërive gjatë asaj kohe.

Duhani nuk dëmton vetëm zemrën, mushkëritë dhe trurin por gjithashtu dëmton edhe pamjen e jashtme. Një duhanpirës ka gjasa të ketë gjithmonë qeska poshtë syve. Gjithashtu, ka 4 herë më tepër gjasa sesa një jo-duhanpirës për të mos bërë një gjumë të qetë.

Pirja e cigareve përshpejton plakjen duke kontribouar në krijimin e rrudhave. Cigaret jo vetëm shkaktojnë zverdhje të dhëmbëve, por ndikojnë edhe tek lëkura e gishtërinjve dhe tek thonjtë. Lëkura e duhanpirësve merr ngjyrë gri për shkak se tymi i cigares përmban monoksid karboni, i cili nuk lejon oksigjenimin e duhur të lëkurës.