Bota

Lufta ruse në Ukrainë, viktima nga një sulm me dronë në portin Izmail!

Rusia ka kryer një sulm të madh me dronë në portin e Ukrainës, Izmail në Danub, duke vrarë tre persona dhe plagosur 11 të tjerë, përfshirë një fëmijë. Lajmin e konfirmoi sot guvernatori rajonal i Odesës, Oleh Kiper. Izamil është port shumë i rëndësishëm për eksportimin e drithërave të Ukrainës dhe ndodhet në kufi me vendin anëtar të NATO-s, Rumaninë. Ky port ka qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve ruse.

Autoritetet rumune në rajonin Tulcea, në anën tjetër të kufirit me Izmailin, lëshuan një alarm për qytetarët duke paralajmëruar se dronët ndodheshin shumë pranë kufirit. Forcat Ajrore të Ukrainës aktivizuan sirenat e alarmit për të paralajmëruar sulme raketore dhe me dronë në rajonet Herson, Mikolaiv e Sumi.

Siç dihet, lufta në Ukrainë ka nisur dhe vijon prej 24 shkurtit të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën dhe ky përbën qëndrimin e Moskës. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke e goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftimeve kanë gjetur vdekjen mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Ndërsa lufta vijon e ashpër në Ukrainë, presidenti ukrainas Zelensky ishte në Shtëpinë e Bardhë ku u pri nga homologu amerikan, Biden.

Ukraina do t’ia dalë dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë jush, në çdo hap.

Gjatë një takimi të veçantë me Zelensky-n, zv.presidentja Kamala Harris, kandidate e Partisë Demokrate për Shtëpinë e Bardhë, përsëriti mbështetjen e qeverisë amerikane në përpjekjet e Kievit kundër agresionit rus ndërsa theksoi se i takon Ukrainës të vendosë si do të përfundojë lufta.

Pa i përmendur emrin, Harris kritikoi kandidatin republikan për zv.president, JD Vance, propozimi i të cilit për t’i dhënë fund luftës do ta linte Ukrainën me territor të gjymtuar e larg anëtarësimit në NATO.

Këto propozime janë të njëjta me të Putinit. Që të jemi të qartë, ato nuk janë propozime për paqe. Janë propozime për t’u dorëzuar, çka është e rrezikshme dhe e papranueshme.

Në një intervistë, Vance sugjeroi që Ukraina dhe Rusia t’i ndalin luftimet e të krijojnë një zonë të çmilitarizuar brenda linjave aktuale të betejës. Ai tha se Kievi duhet t’i përmbahet një statusi neutral dhe të heqë dorë nga kërkesa për anëtarësim në NATO.