Bota

Takimi Biden-Zelensky në Shtëpinë e Bardhë!

Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Joe Biden priti homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky për diskutime lidhur me mbështetjen amerikane ndaj luftës së Kievit kundër pushtuesit rus. Biden theksoi se lufta e Rusisë nuk do të jetë e suksesshme.

Ukraina do t’ia dalë dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë jush, në çdo hap.

Gjatë një takimi të veçantë me Zelensky-n, zv.presidentja Kamala Harris, kandidate e Partisë Demokrate për Shtëpinë e Bardhë, përsëriti mbështetjen e qeverisë amerikane në përpjekjet e Kievit kundër agresionit rus ndërsa theksoi se i takon Ukrainës të vendosë si do të përfundojë lufta.

Pa i përmendur emrin, Harris kritikoi kandidatin republikan për zv.president, JD Vance, propozimi i të cilit për t’i dhënë fund luftës do ta linte Ukrainën me territor të gjymtuar e larg anëtarësimit në NATO.

Këto propozime janë të njëjta me të Putinit. Që të jemi të qartë, ato nuk janë propozime për paqe. Janë propozime për t’u dorëzuar, çka është e rrezikshme dhe e papranueshme.

Në një intervistë, Vance sugjeroi që Ukraina dhe Rusia t’i ndalin luftimet e të krijojnë një zonë të çmilitarizuar brenda linjave aktuale të betejës. Ai tha se Kievi duhet t’i përmbahet një statusi neutral dhe të heqë dorë nga kërkesa për anëtarësim në NATO.

Ndërkohë, dje Biden njoftoi një paketë ndihme ushtarake për Ukrainën, me vlerë mbi 8 miliardë dollarë. Udhëheqësi amerikan e shfrytëzoi vizitën e Zelensky-t për të treguar mbështetjen amerikane për luftën e Kievit kundër agresionit rus.

Ndihma ushtarake përfshin dërgesën e parë të bombave të modelit “Joint Standoff Weapon” me rreze veprimi deri në 130 kilometra. Maja e kësaj bombe është pajisur me udhëzues me rreze lazër ose kamera që dërgon të dhëna në një kompjuter mbi vendndodhjen e objektivit. Pas marrjes së sinjalit, kompjuteri i dërgon komanda bombës, që shfrytëzon krahët e montuar për të shkuar drejt objektivit.

Këto bomba me rreze të mesme veprimi përmirësojnë aftësitë e Ukrainës për të goditur forcat ruse nga një distancë më e sigurt për trupat ukrainase. Hedhja e bombave duhet të bëhet nga avionët luftarakë.

Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se presidenti Biden nuk do të njoftojë se Uashingtoni do ta lejojë Ukrainën që të përdorë bomba amerikane për të goditur objektiva në thellësi të Rusisë.

Ndërkohë, kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump bëri të ditur se sot do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ish-presidenti ka kritikuar liderin ukrainas gjatë tubimeve të fushatës zgjedhore, duke shprehur dyshime mbi aftësitë e Ukrainës për të fituar luftën me Rusinë.