Tech

Mashtroi se telefonat ishin rezistentë ndaj ujit, gjobitet Samsung!

Një gjykatë në Australi ka urdhëruar njësinë lokale të Samsung Electronics të paguajë një gjobë prej 9.65 milionë dollarë, pra rreth 9.1 milionë euro për pretendime mashtruese për një veçori të rezistencës ndaj ujit në disa prej smartphone-t e saj. Samsung Australia pranoi se ka mashtruar blerësit e disa prej telefonave të saj ‘Galaxy’ në lidhje me nivelin e rezistencës ndaj ujit.

Të paktën kështu ka pohuar Komisioni Australian i Konkurrencës dhe Konsumatorit (ACCC). Rregullatori e kishte paditur për herë të parë kompaninë në korrik të vitit 2019. Rregullatori tha se midis marsit 2016 dhe tetorit 2018, kompania publikoi reklama në dyqane dhe në mediat sociale që pretendonin se telefonat mund të përdoreshin në pishina ose në ujin e detit.

ACCC, megjithatë, mori qindra ankesa nga përdoruesit duke thënë se telefonat inteligjentë nuk funksiononin siç duhet ose madje pushuan së funksionuari tërësisht pasi u ekspozuan ndaj ujit. Kryetarja e ACCC-s, Gina Cass-Gottlieb tha se:

Pretendimet promovuan një pikë të rëndësishme shitjeje për këta telefona Galaxy. Shumë konsumatorë që kanë blerë një telefon Galaxy mund të jenë ekspozuar ndaj reklamave mashtruese përpara se të merrnin vendimin e tyre për të blerë një telefon të ri.

Ndërkaq, Samsung thuhet se po zvogëlon numrin e telefonave që po planifikon të prodhojë në vitin 2022, nga 310 milionë në 280 milionë, sipas SamMobile. Në terma absolutë, ende është numër i lartë i telefonave, por është një rënie relativisht e dukshme nga qëllimi fillestar i kompanisë dhe nga numri i raportuar i telefonave që ajo dhe bashkëpunëtorët e saj prodhuan vitin e kaluar.

Rikujtojmë, se sipas kompanisë analitike ‘Counterpoint Research’, tregu evropian i telefonave ka regjistruar së fundmi tremujorin e parë më të keq në pothuajse 10 vjet. Tregu shënoi një rënie prej 12% krahasuar me tre muajt e fundit të një viti më parë. Vetëm 49 milionë telefona u dorëzuan, gjë që dërgoi në tremujorin e parë më të keq që nga viti 2013. Vetëm një nga 5 markat më të mira është rritur, Realme ka dyfishuar pjesën e saj të tregut.