Sport

Messi thyen rekord edhe jashtë fushe, mijëra euro për fanellën me të cilën shënoi golin e 500-të!

Lionel Messi për rekord edhe jashtë fushës së futbollit, teksa fanella e veshur nga argjentinasi kur shënoi golin e 500-të në karrierë është shitur për shifrën e 425.000 eurove. Goli i Messit përkoi në një El Classico të 23 prillit në vitin 2017, një sfidë të cilën katalanasit e fituan në Madrid kundër Realit me shifrat 2-3 me “pleshtin” që shënoi dy gola dhe festoi në një mënyrë krejtësisht të veçantë para publikut të Santiago Bernabeut.

 

Diçka e tillë e bëri edhe më tërheqëse fanellën e Messit me kompaninë Casa Goldin që më datë 13 prill hapi ankandin për ta shitur. Sapo kaloi të gjithë testimet të cilat provuan origjinalitetin e fanellës, nisën edhe ofertat e para të cilat kalonin shifrën e 100.000 eurove derisa më datë 1 maj u arrit edhe pika kulmore e ankandit me një ofertë prej 425.000 euro, shifër e cila rezultoi të ishte fituese.

Në këtë formë, koleksionisti misterioz do të mund të shijojë dhe të personalizojë një nga fanellat të cilat faktojnë madhështinë e Lionel Messit, aq më tepër një bluzë e cila përkon edhe me një nga ndeshjet më spektakolare kundër Real Madrid.