Food & Drink Health & Beauty Lifestyle

Nëse jeni të fiksuar pas ushqimeve të paketuara duhet të njiheni edhe me rrezikun e tyre!

Konsumimi i shpeshtë i ushqimeve të paketuara shoqërohet me një rrezik të shtuar të kancerit, sipas një studimi të ri shkencor. Ushqime të tilla janë pijet e gazuara, buka e ambalazhuar, ushqimet e gatshme, drithërat etj. Shpesh produkte të tilla janë relativisht të lira, të përshtatshme për t’u konsumuar dhe promovuar përmes marketingut të fortë. Ato zakonisht kanë një sasi më të madhe të kripës, yndyrave, sheqerit, shtesave artificiale dhe substancave të tjera.

Studime të tjera i kanë lidhur këto ushqime me obezitetin, diabetin e tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare etj. Studiuesit nga Shkolla e Shëndetit Publik të Imperial College London, në bashkëpunim me shkencëtarët e Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit të cilët bënë publikimin përkatë analizuan të dhënat për rreth 198,000 njerëz të moshës 40-69 vjeç, shëndeti i të cilëve u monitorua gjatë një dekade, veçanërisht në lidhje me diagnozën e 34 llojeve të ndryshme të kancerit dhe mundësinë e vdekjes prej tyre.

Gjatë studimit, rreth 16,000 njerëz u preken nga kanceri dhe 4,000 ndërruan jetë prej tij. Ai zbuloi se për çdo rritje prej 10% në konsumimin e ushqimeve shumë të përpunuara nga një person, kishte një rritje prej 2% në gjasat për t’u diagnostikuar me kancer në përgjithësi dhe një rritje 19% në gjasat për kancer ovarian në veçanti.

Për më tepër, ka pasur një rritje të vdekshmërisë nga kanceri me 6% në përgjithësi dhe në veçanti me 16% nga kanceri i gjirit dhe me 30% nga kanceri ovarian. Rikujtojmë, se në një studim të botuar në “British Medical Journal”, shkencëtarët zbuluan se burrat që hanin nivele të larta të ushqimeve ultra të përpunuara kishin një rrezik 29% më të lartë për të zhvilluar kancer në zorrën e trashë sesa burrat që hanin shumë pak nga këto ushqime.