Shumë njerëz zgjedhin ta marrin ushqimin e tyre me vete në plazh. Nëse edhe ju planifikoni të merrni ndonjëherë ushqim me vete kur jeni me pushime, duhet të keni parasysh se çfarë të shmangni. Nutricionistja Kirsten Hickman tregon se jo të gjitha ushqimet janë të përshtatshme për një vakt buzë detit.
“Ushqimi më i keq që mund të merrni në plazh është ushqimi dehidratues. Nëse e kaloni pjesën më të madhe të ditës në vapë, nën diell, gjëja e fundit që dëshironi janë ushqimet që e përkeqësojnë dehidratimin”, – thotë ajo dhe më pas tregon se cilat janë ushqimet më të këqija për t’i marrë me vete në plazh. Njihuni me to:
1.Mishrat e thatë
Këto ushqime njihen se përmbajnë shumë natrium, prandaj nutricionistja këshillon t’i shmangni në ditët kur kaloni shumë kohë në diell. Në vend të kësaj, sugjerimi i saj është një sanduiç me perime që hidraton trupin dhe mund të shtoni edhe pak humus për të shtuar pak proteina.
2.Ushqimet e kripura
Nutricionistja Kirsten thotë se është më mirë të konsumoni fruta ose perime të freskëta, të cilat mund t’i zhytni edhe me pak humus. Ushqimi i skuqur ka një përmbajtje shumë të lartë kripe, e cila përkeqëson dehidratimin. Përveç kësaj, pas një vakti me ushqime të skuqura energjia do t’ju bjerë ndjeshëm, shton ajo, ndaj ka shumë mundësi që në plazh të jeni të përgjumur.
3.Pijet e ëmbla
Ngjashëm me kripën, ushqimet dhe pijet me përmbajtje të lartë sheqeri gjithashtu kanë një efekt dehidratues në trupin tuaj. Kur hani sheqer, trupi përdor më shumë ujë për ta metabolizuar atë, kështu që do t’ju duhet të urinoni më shpesh. Përveç kësaj, nëse pini pije të ëmbla në vend të ujit, sheqeri në gjak do të rritet shpejt dhe më pas do të bjerë shpejt, kështu që do të jeni të rraskapitur gjatë ditës.
4.Ushqimet e nxehta
Kjo nuk ka të bëjë aq shumë me shëndetin, por thjesht, nëse në plazh konsumoni një vakt të nxehtë, në momentin që do ta hani, me siguri do të jetë i vakët dhe jo veçanërisht i shijshëm. Ushqimet e ftohta mund të qëndrojnë më gjatë dhe padyshim që do t’ju pëlqejnë më shumë, ndaj sugjerimi i nutricionistes Kirsten është që të shijoni sallata me makarona të ftohta buzë detit.
Sipas disa ekspertëve shëndetësorë, besimi se nuk duhet të notojmë pasi kemi ngrënë është thjesht një mit. Disa njerëz përjetojnë dhimbje stomaku nëse bëjnë ndonjë aktivitet të fuqishëm pas një vakti ushqimor, por notimi i moderuar nuk shkakton ndonjë efekt anësor serioz. Zbuloni se çfarë nuk duhet të konsumoni para se të notoni.