Celebrities Gossip Lancio Music Showbiz

Eksperienca në ‘BBVK’, raporti me ish-mikun e tij dhe bashkëpunime që nuk i mendonit, Stresi zbulon gjithçka për TAR!

I ftuar këtë episod të ‘Lancio’ ishte reperi i njohur Stresi. Gjatë muajve të fundit, emri i artistit ka qenë një kryefjalë në media pas eksperiencës dhe shpalljes si fitues i ‘Big Brother VIP Kosova’ dhe ribashkimit të tij pas më shumë se një dekade armiqësi me Noizy-n. Për të gjitha këto dhe detaje të tjera rreth jetës së tij private, Stresi jep një intervistë ekskluzive për TAR.

A e ka ndryshuar reperin eksperienca në ‘BBVK’ dhe çfarë ka për të thënë ai për deklaratën e dhënë para disa kohësh se nuk do ta provonte asnjëherë si përvojë. Po lidhur me komentet e atyre që nuk kanë besuar se mund t’ia dalë, çfarë mendimi ka sot Stresi?

Unë ashtu si kam hyrë dhe kam dal, prapë po i njëjti jam dhe asgjë s’ka ndryshuar. Unë kam deklaruar këtë për në Shqipëri, në Shqipëri jo. Nuk është se s’ma kanë besuar mua si njeri, nuk kanë dashur duke ditur tipin tim. Po unë aty hyra për të sfiduar veten. Ishte eksperienca e fundit në karrierën time që unë eksperimentoj. Këtë gjë kisha lënë pa provuar në showbiz-in shqiptar.  

Sipas tij, cilat janë pikat më të forta të tij që nuk i ka fituesi i ‘BBV 2’ në Shqipëri, Luiz Ejllit. Nëse do të kishin qenënë po të njëjtën shtëpi, si do të ishte raporti mes tyre?

Ne na kanë parë nga televizioni. Aty nuk mund t’ja dallosh dikujt pikat, gjithçka duket jashtë. Nuk do kisha komentuar te kjo pjesë. Gjithësecili ka të vetat. Ne njihemi prej vitesh, besoj se do kishim shkuar shumë mirë, do ishim të dy në finale.

Kleviol Alhmeti është gjithashtu një mik i Stresit, i cili që pas eksperiencës së këtij të fundit në ‘BBVK’ është shprehur negativisht për të në TikTok. Si e komenton këtë artisti?

Unë e kam mbyllur TikTok-un. Di të them se sot shoqëria është shumë e shenjtë. Ka keqkuptime, shumë gjëra që ndodhin deri në një pikë, aty ku duhet. Sidomos në një shoqëri shumë-vjeçare. Gjërat nuk janë ashtu siç kanë qenë më përpara normalisht. Po kështu e kanë TikTtoks-at, çfarë t’ju bësh. 

Stresi njihet për bindjet e tij politike dhe dashurinë e madhe për krahun e djathtë, si e komenton ai faktin se vendi i tij Tropoja dhe shumica e shqiptarëve votuan për Partinë Socialiste?

Normalisht që pritej. Mos isha bërë këngëtar do isha bërë politikan. E kam shumë hobi. Po ua them, unë bindjen time politike sot dhe 1000 vjet nuk e shes, asnjëherë. Më vjen shumë keq që ka qenë një humbje e thellë. Unë kam thënë publikisht nuk merrem më me politikë, por zemrën e kam te bindja ime politike. Sa për Tropojën uroj të jenë mirë, ka qenë zgjedhja e tyre, e paçin me shëndet (qesh). 

Duket se Stresi ka hequr dorë nga baladat, pse ky vendim nga ana e reperit? Sa kohë ka që reperit nuk i ‘thyhet zemra’?

Është e vërtetë, kam kohë që nuk këndoj balada. Unë gjithmonë kur kam kënduar balada e kam patur përjetim, kurse tani jam pak në ajër, nuk e kam mendjen te baladat. Kam diku te tre vite që jo.

Marrëdhënia e tij me Kejsin ka qenë padyshim një nga lidhjet më të komentuara të dashurisë, çfarë ka për të thënë Stresi lidhur me këtë në TAR?

Është bërë shumë e madhe kjo vajzë në Shqipëri. Të them të drejtën dua ta bëj një apel, mos pyesni më. Për mua, çdo gjë ka marrë fund. Unë kam jetën time, secili ka jetën e vet. Nuk di çfarë të them, po rëndësi ka të jetë mirë, kaq. 

Stresi ka paralajmëruar se do të publikojë një album të ri dhe na zbulon më shumë lidhur me këtë projekt. A do të jetë pjesë e albumit, mikesha e tij më e ngushtë Morena?

E kam lënë shumë pas dore. Të them të drejtën e kam menduar diku nga viti i ri ta nxjerr se kam gjithë këto koncerte përpara. I punoj nga pak, po mendoj se deri nga tetori e kam finalizuar. Emra do keë, nuk do kem shumë bashkëpunime, mund të jenë 3-4, po do jenë 3-4 artistët më të mirë shqiptarë. Morenën e përshëndes shumë, por ajo është fokusuar në jetën e saj private në Stamboll. Nuk do të merret me muzikë për momentin, është mirë. 

Si është marrëdhënia e tij me vajzat pas eksperiencës në ‘BBVK’ dhe cilat janë karakteristikat që ai kërkon te partnerja që do të ketë në krahë?

Mua më merr malli të dal me një vajzë për kafe gjatë ditës. Më kanë njohur gjithmonë, më kanë pritur gjithmonë mirë. Dua një vajzë shumë të zgjuar, një vajzë që punon fort për veten e vet, ka ekonominë e vet, nuk i nënshtrohet askujt në këtë jetë, goc tirone dhe një vajzë shumë familjare, shumë e thjeshtë.