Bota

Përparime në negociata, por sulmet ruse nuk ndalen, rrethohet sërish Kievi

Për të gjashtën ditë me radhë sirenat e alarmit kanë rënë mëngjesin e kësaj të marte për ukrainasit. Përveç Kievit, alarmet kanë rënë në qytetet perëndimore të Ternopil, Vinnytsia, Rivne, si dhe qytetet qendrore të Cherkasy dhe Kropyvnytskyi.

Sipas BBC autoritetet ukrainase kanë konfirmuar vdekjen e 70 ushtarëve të saj vrarë në një sulm të artilerisë ruse në qytetin verilindor të Okhtyrka. Forcat ruse sot kanë rrethuar qendrën rajonale të Khersonit në Ukrainën jugore.

Ndërkohë, trupat ruse thuhet se po përparojnë drejt kryeqytetit. Imazhet satelitore shfaqin pamjet e autokolonave me tanket ruse që po mësyjnë Kievin.

Më herët CNN transmetoi pamje të dhimbshme të disa fëmijëve në Ukrainë, shumica të prekur nga sëmundje malinje që po trajtohen në bodrumin e një spitali në kryeqytet. Bodrumi duhej të shndërrohej në një strehë të improvizuar për bomba dhe departament pediatrik, në mënyrë që të shmangeshin granatimet nga forcat ushtarake ruse.

Sulmet ruse në qytetin Harkiv të Ukrainës dhe kryeqytetin Kiev vazhduan gjatë natës së 28 shkurtit dhe mëngjesit të 1 marsit. Në Harkiv, ushtria ruse po hedh në erë nënstacione, tha kryebashkiaku i qytetit, Ihor Terekhov.

Sulmet kanë shkaktuar probleme me furnizimin me energji elektrike dhe ujë.