Lifestyle

Pikëllimi që përjetoni kur qenushët abuzohen, studimi i jep shpjegim këtij fenomeni!

Hulumtuesit së fundmi kanë zbuluar arsyet se përse disa njerëz janë më të lidhur me kafshët sesa me njerëzit. Studimi, i cili është publikuar në revistën “Society and Animals”, është kryer nga hulumtuesit Jack Levin dhe Arnold Arluke. Studiuesit kanë dashur ta kuptojnë arsyen se përse disa njerëz brengosen më shumë për qentë sesa për njerëzit.

Eksperimenti kryesisht është përqendruar për të testuar nëse njerëzit pikëllohen më shumë nga abuzimi i kafshëve apo nga abuzimi i një personi tjetër. Sipas eksperimenteve, njerëzit kanë tendenca që më shumë të pikëllohen kur kafshët abuzohen sesa për dhimbjen e njerëzve. Ky reagim ka ndryshuar vetëm kur viktima ka qenë fëmijë. Kjo mund të jetë për shkak se qentë janë gjithmonë më të dobët pavarësisht moshës, ndërkaq njerëzit e rritur besohet ta kenë kapacitetin për ta mbrojtur veten.

Por, një arsye tjetër mund të jetë edhe për shkak se njerëzit i shohin qentë si bebe apo si anëtarë të familjes së tyre. Rikujtojmë, se një spital belg ka ndërtuar një pavijon të veçantë në mënyrë që pacientët të mund të vizitojnë kafshët e tyre shtëpiake në përpjekje për t’i ndihmuar ata nga ana psikologjike. Shumica e spitaleve në mbarë botën nuk lejojnë vizitat e kafshëve shtëpiake për arsye higjienike, për të parandaluar rrezikun e infeksioneve. Për një kohë të gjatë pacientët afatgjatë në Spitalin Sint-Trudo që donin të shihnin kafshët e tyre shtëpiake duhej ta bënin këtë në oborrin e spitalit.