Bota Tech

Qëndruan pesë muaj në stacionin hapësinor të Kinës, kthehen nga misioni tre astronautë!

Tre astronautë kinezë janë kthyer në Tokë pasi kaluan më shumë se pesë muaj në stacionin hapësinor të Kinës. Astronautët që ishin pjesë e misionit të Kinës Shenzhou-16 u ulën në vendin e uljes Dongfeng në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës veriore. “Kapsula e kthimit e anijes kozmike të drejtuar Shenzhou XVI, që mbante astronautët Jing Haipeng, Zhu Yangzhu dhe Gui Haichao, u ul në vendin e uljes Dongfeng në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës”,-thuhet në postimin e Stacionit Hapësinor Kinez në X.

Të tre astronautët, të cilët qëndruan në stacionin hapësinor për 154 ditë, janë në gjendje të mirë shëndetësore. Kthimi i ekuipazhit Shenzhou-16 erdhi pasi anija kozmike e drejtuar nga Shenzhou-17, me tre astronautë të tjerë në bord, u ankorua me sukses në stacionin hapësinor javën e kaluar.

Rikujtojmë, se astronauti i NASA-s, Francisco Rubio u rikthye në Tokë, duke ndjerë tërheqjen e gravitetit të planetit për herë të parë në më shumë se një vit. Rubio dhe dy kolegët rusë, astronautët Sergey Prokopyev dhe Dmitry Petelin, u hodhën me parashutë në Kazakistan në bordin e një kapsule ruse Soyuz MS-23 në orën 17:17. Ardhja e ekuipazhit shënoi fundin e një udhëtimi të papritur të gjatë për Rubio, i cili do të kalonte vetëm gjashtë muaj në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Ndërkaq, NASA po zhvillon një ndërfaqe të inteligjencës artificiale të stilit ChatGPT, që do të përdoret në misionet hapësinore. Bëhet fjalë për një softuer që lejon astronautët të zgjidhin problemet, të kryejnë manovra komplekse ose të kryejnë një eksperiment shkencor në mënyrën më të mirë të mundshme, pa u konsultuar me manualet në bord, duke shmangur kështu humbjen e kohës duke komunikuar me qendrën e kontrollit.