Film & Tv

“Reminiscence” një film nga krijuesja e “Westworld”, por shumë larg gjenialitetit të serialit fiksues. Kritikë.

I fryrë si buf, i pëlqyeshëm aq sa një çorbë, e pabërë mirë, e me pak përbërës, xhanëm çorba çorbë ngelet. Por, për nostalgjikët e ‘Universit të Nolan-it’, për vlerësuesit e njerzve të bukur në ekranin e madh dhe skenave të ‘shpenzuara’, pavarisht sa non-sense është “Reminiscence” ngado që ta kapësh, filmi mund të shtyhet.

Shkruar dhe drejtuar nga Lisa Joy, gjysma mbas serialit që apasionoi breza në 3 sezonet e tij në HBO – “Westworld” (gjysma tjetër bashkëshorti i saj Jonathan Nolan) filmi ka shumë nga seriali hit i HBO. Jonathan, në anën tjetër, ka ndihmuar vëllain e tij regjisorin Christopher Nolan të shkruajë skenaret e filmave që shenjuan karrierën e tij – “Memento” dhe “Interstellar” ndërsa në filmin e bashkëshortes Joy shërben si producent. Edhe pse ADN e familjes Nolan ndjehet, stili i dy vëllezerve, por edhe i çiftit është kryekëput i ndryshëm. Ama lundrimi në labirinthin e mendjes është emëruesi i përbashkët.

Çdo gjë është e ndërtuar, asgjë nuk është e vërtetë.

Thotë personazhi i Thandiwe Newton në “Westworld”. Newton është edhe gjysma e “Reminiscence”, filmi i cili gjithashtu e ka të turbullt kufirin mes realitetit dhe fantazisë. Watts quhet personazhi i saj, veterane lufte, e varur nga alkool-i disi e pakuptimtë, punon me shokun e saj të luftës, Nick Bannister (Hugh Jackman). Historia vendoset në një distopi beninje të jo shumë viteve më vonë nga tani – Miami është kthyer në një Venezia të re, e zhytur në ujë për shkak të rritjes së nivelit të oqeaneve. Njerëzit jetojnë natën – ditën flenë – të ‘frikësuar’ nga dielli. Po aq, duke mos patur shumë shpresë për të ardhmen gjejnë prehje tek ‘biznesi’ i Nick dhe Watts – një makineri që të bën të ri-jetosh kujtimet e tua (Avatar-i takon Inception-in) duke i shfaqur në një flluskë 3-D. (e shkruar nuk tingëllon aq e bukur saç është, Minority Report 30 vite më pas).

 

Gjithçka shkon qetë, derisa në skenë hyn një kuqe seksi – Mae (Rebecca Ferguson), e cila po kërkon çelësat. Pra, seriozisht, historia i ikën individëve të pa-shpresë që vijnë tek Nick dhe Watts për të përjetojuar dashuri të humbura, kohët para armagedonit e të tjera si këto, për një vajzë, të përhumbur po aq sa fustani i saj i mëndafshtë, e cila do të hyjë në Makinën e Memories se nuk gjen dot çelësat. (Titulli do ishte interesant në shqip duke ditur edhe lidhjen shpirtërore të brezit të viteve ’80 me “Makinën e Memories” të Ardit Gjebreas). Dhe aty, Nick bie brenda, xhanëm si mund të mos biesh brenda për një vajzë kaq ‘pa halle’, e cila kërkon thjesht çelësat. Pas kësaj filmi shkon nëpër një kollotumbë historie dashurie e përshpejtuar ku Mae dhe Nick nuk bëjnë dot më pa njëri tjetrin, deri kur befas Mae zhduket, duke e kthyer Nick në rob të kujtimeve të tij, njësoj si Cobb tek “Inception” i lidhur me vaskën e memories (uau origjinale). Më pas filmi kthehet në diçka krejt tjetër që me siguri i ngjason më shumë “Westworld” të paktën si shije, jo aq si dinamikë.

“Reminiscence” dhe Joy nuk e ndajnë asnjëhere mendjen se çfarë duan të jenë – një diçka mes të shkuarës dhe të tashmes, mes fanta-shkencës dhe film ‘noir’, e pavarësisht sekuencave fantastike, imazhe të cilat ngjajnë me një videoklip të jashtëzakonshëm të, le të themi Beyonce, ata mbyten, në thellësinë e ujit që rrethon çdo gjë. Sigurisht filmi mund të ishte diçka krejtësisht e re, por nuk është – jo çdo pastiçe është e mirë – pavarësisht si duket, mund të mos ketë kripë, dhe kripën nuk e shikon dot me sy!

Kur protagonisti Nick ecën në rrugët tinëzare, të një qyteti të errët që nuk ngjason me asgjë nga ajo që njerëzit kujtojnë. Shumë prej jush sidoqoftë do të hiqni paralele mes tij dhe Raymond Chandler, Humphrey Bogart, Harrison Ford, ose ndonjë tjetër burri të vetmuar si këta, në udhëkryqe të panjohurash të dhunshme e dramatike. Problemi me paralelet dhe ndikimet është që jo rrallë kthehen në imitime. Me dialogje melodramatike klishe të cilat ua vështirësojnë punën aktorëve, me një personazh femëror në qendër (Ferguson) e cila ngjan si një Jessica Rabbit, filmi më shumë se çdo gjë është një përmbledhje sekuencash fantastike, të cilat e mbajnë atë duke pluskuar në sipërfaqen e filmave që ‘shijojnë’ edhe në mute.

“Riminiscence” 1 orë 56 minuta është duke u shfaqur në HBOMax.