Bota

SHBA, të vrarë e të plagosur nga të shtëna me armë zjarri në një klub gay!

Policia amerikane njofton se pesë persona u vranë mbrëmjen e së shtunës në një klub nate homoseksualësh në Kolorado Springs të Kolorados. 18 të tjerë u plagosën nga të shtënat masive në Club Q. Nga mesnata, agjentët morën telefonata “të shumta” në numrin 911 e një togere deklaroi se i plagosur mbeti edhe agresori i dyshuar, por nuk saktësohet nëse numri 18 i raportuar për të lënduarit e përfshin edhe atë.

Pas trajtimit mjekësor, autori i ngjarjes tragjike po mbahet në paraburgim.

Për momentin, policia nuk pranon të flasë për një motiv të mundshëm. Kapiteni i zjarrfikësve në Kolorado Springs, Mike Smaldino tha se 11 autoambulanca u përgjigjën në vendngjarje pasi u morën thirrje të shumta telefonike në numrin 911.

Ne do të jemi këtu për shumë e shumë orë në vijim. Edhe FBI ndodhet në vendngjarje e ndihmon hetimet.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, drejtuesit e Club Q shprehen “të shkatërruar” nga ai që e cilësojnë “sulm i pakuptimtë ndaj komunitetit” të tyre. Po ashtu, shprehen ngushëllime për viktimat.

Falënderojmë reagimet e shpejta të klientëve heronj që neutralizuan personin e armatosur dhe i dhanë fund këtij sulmi urrejtjeje!