Botë e Çuditshme Food & Drink

Tanimë në treg salçiçet e frymëzuara nga duart e Mbretit Charles III!

Së fundmi një kasap në Zelandën e Re i ka habitur të gjithë pasi ka krijuar ato që ai i ka quajtur “Gishtat salçiçe të Mbretit Charles III”. Sigurisht kasapi ka pohuar se është frymëzuar nga gishtat e fryra të duarve të Mbretit. Ai përdori mediat sociale për të reklamuar produktin e ri që mund të blihet në Okland dhe menjëherë postimet e tij janë bërë virale. Ndërkaq, fryrja e gishtave të duarve vjen për shkak të moshës, por mund të fshehë edhe probleme të tjera shëndetësore.

Siç dihet tanimë Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e Commonwealth-it kanë një mbret të ri. Ai është 73-vjeçari Charles III, djali i madh i Mbretëreshës Elizabeta e Dytë, e cila u nda nga jeta më 8 shtator në moshën 96-vjeçare, pasi mbretëroi për 70 vjet, duke u kthyer në figurë shumë të dashur për britanikët, si dhe mjaft të vlerësuar e respektuar kudo në botë.

Shpallja mbret u bë në Pallatin St.James të kompleksit Buckingham Palace në Londër nga Këshilli i Aderimit, institucioni përgjegjës për certifikimin e kalimit nga një monark te tjetri dhe që mblidhet vetëm në këtë rast. Për herë të parë, ceremonia ku morën pjesë mbi 200 persona u transmetua live në televizion.

Ndërkaq, rikujtojmë se funerali i Mbretëreshës Elizabeth II do të mbahet të hënën më 19 shtator në Westminster Abbey në Londër, ka konfirmuar Buckingham Palace. Kjo ditë është shpallur ditë pushimi në gjithë Mbretërinë e Bashkuar nga mbreti Charles III, i cili e ka marrë zyrtarisht detyrën në mëngjesin e 10 shtatorit.