Bota

Trump: “Japim miliarda për Ukrainën, por duhet të mbrojmë shkollat!”/”Do të rikandidoj!”

Donald Trump sulmon Joe Biden-in dhe këtë zgjodhi ta bënte nga podiumi i konventës National Rifle Association në Houston e ku shpalli synimin për të kandiduar për presidencialet e 2024-ës. National Rifle Association është një organizatë që vepron në favor të atyre që mbajnë armë zjarri në Amerikë. Ndërkohë, ish-presidenti foli për rritjen e sigurisë në shkollat amerikane, pas masakrës së Teksasit ku u vranë 19 fëmijë dhe dy mësuese.

Kur jemi në gjendje të dërgojmë miliarda në Ukrainë, mund të bëjmë edhe atë që duhet për të mundësuar sigurinë e shkollave tona. Duam të shpëtojmë jetët e fëmijëve tanë, shkollat nuk duhet të jenë shënjestra më e lehtë për t’u goditur.

Trump përsëriti propozimin për të armatosur mësuesit, si dhe shprehu bindjen se do të jetë sërish në krye të Shteteve të Bashkuara.

Kur të jem president për herë të dytë do të punoj që të eliminoj të keqen.

Për rreth një orë, ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë shpalosi programin e tij të sigurisë, edhe pse rruga e rikthimit nuk duket e lehtë. Fillimisht, duhet të sigurojë mbështetjen e republikanëve, para se të përballet me rivalët demokratë.

Prania e së keqes në botën tonë, nuk është një motiv për të çarmatosur qytetarët që respektojnë ligjin. Ekzistenca e së keqes është një prej arsyeve më të mira për të armatosur qytetarët që respektojnë ligjin.

Këtë vit, ne bashkë do të rimarrim kontrollin e Senatit e të Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe më vonë, të Shtëpisë së Bardhë.