Aktualitet Sociale

Vrasja e Martin Canit, protesta qytetare para Ministrisë së Arsimit: Institucionet e papërgjegjshme vrasin

Qindra qytetarë kanë dalë sot në protestë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga shoku i shkollës, bashkëmoshatar i tij, i mituri me inicialet M.P..

Të pozicionuar para Ministrisë së Arsimit, qytetarët bëjnë thirrje për dorëheqjen e ministres pasi e bëjnë përgjegjëse për dështimin e sigurisë në shkollë, bashkë me hallka të tjera që nuk kanë funksionuar siç duhet.

Mes protestuesve pjesë ishte edhe motra Egli Pogës, i cili humbi jetën pak muaj më parë, pasi u dhunua nga Denis Meçe, ngjarje e ndodhur në qytetin e Pogradecit.

Në fjalën e saj ajo iu drejtua edhe nënës së autorit të vrasjes së Martinit, duke i thënë se duhet të dalë dhe të flasë.

“Institucionet e papërgjegjshme vrasin” është pankarta kryesore që është vendosur në kangjellat e Ministrisë së Arsimit, ndërsa me bojë të kuqe është kruar “jeta është e shenjtë”. Gjithashtu fëmijët kanë lënë gjurmët e duarve me bojë të kuqe, një shenjë që simbolizon “Mjaft”.

Qytetarët kërkojnë një rritje për arsimin nga 600 mln në 800 mln, ndërsa kërkohet që në çdo shkollë të ketë psikolog dhe bazë mbështetëse.

Protesta vjen disa ditë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi pak metra nga shkolla “Fan Noli”, ku një prej nxënësve të kësaj shkolle u sulmua me thikë nga një tjetër nxënës.

Qytetarët kanë paralajmëruar se nëse nuk plotësohen kërkesat që kanë paraqitur, do të ketë një përshkallëzim të protestës, duke bojkotuar mësimin në të gjithë vendin.

LEXO EDHE: Vrasja e Martinit, policia do të rimarrë në pyetje babanë e shokut të viktimës!

Një prej qytetarëve pjesëmarrës në protestë, tha se nuk ka fëmijë të vegjël, por ngjarja e ndodhur nuk mund të kalohet pa përgjegjës.

Qytetari tha se ministrja e Arsimit duhet të dorëhiqet. Ndërsa një tjetër pjesëmarrës në protestë tha se duhet të ketë llogaridhënie.