Fiqiri Meçe, babai i 14-vjeçarit që më 18 nëntor mbeti i plagosur rëndë me thikë në sherrin pranë shkollës “Fan Noli”në Tiranë ku humbi jetën shoku i tij Martin Cani, sërish do të thirret në polici për të dhënë dëshmi lidhur me ngjarjen që ka tronditur opinionin publik. Dje në një intervistë, Meçe u shpreh se ishin dy persona që goditën me thikë, si dhe aludoi për fshehje të ngjarjes nga ana e uniformave blu.
Sektori i Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës po heton edhe për rolin e të tjerë personave që mund të jenë bashkëautorë me 14 vjeçarin e lënë në arrest me burg apo që e kanë ndihmuar për t’u larguar nga vendi i ngjarjes duke e shoqëruar në spitalin privat ku dy ditë më parë iu komunikua masa e sigurisë. Po ashtu, mund t’i kenë dhënë ndihmë në fshehjen e provave.
Meçe u shpreh:
Djali i ka parë që janë dy vetë. Personi i parë që e ka goditur djalin me thikë pas shpine është djali me emrin K.B, bashkëmoshatar dhe shok i autorit.
K.B e ka pasur thikën më të vogël. Distanca e thikës mund të jetë rreth 10-12 cm. I kam dhënë këto dëshmi te Drejtoria e Policisë. K.B e ka goditur i pari në shpatull djalin tim dhe plaga në shpatull është më shkurtër e më e ngushtë se plaga që ka marrë në bark.
Herën e dytë, e goditi dy herë ky djali që është kapur M.P e pastaj, në fund e kanë goditur të dy. Se djali ka ikur i fundit pasi ka parë Martinin të rrëzuar në tokë, e ka ngritur dhe i ka thënë çohu se paskan thikë. Në atë moment iu hodhën të dy djalit.
Për të akuzuarin se vrau me thikë Martinin pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, në qendër të Tiranës, një komision i Drejtorisë së Burgjeve, nesër vendos nëse 14 vjeçari shkon në qeli apo qëndron në spital. Po nesër, pasdite, në orën 17:00 organizohet një tjetër protestë në Tiranë për vrasjen e Martin Canit. Prindërit thonë se duan siguri.