Bota Tech

Zbulohet asteroidi ‘vrasës i planetit’ afër Tokës, më i madhi në 8 vjet!

Së fundmi, astronomët kanë pikasur 3 asteroide pranë Tokës të cilët po lëvizin të pashqetësuar brenda rrezes së shkëlqimit diellor. Një prej tyre është objekti më i madh i rrezikshëm jashtëtokësor i zbuluar në 8 vitet e fundit. Asteroidet i përkasin një grupi trupash qiellorë që orbitojnë rreth Tokës dhe Venusit, por pikasja e tyre është tepër e vështirë për shkak se shkëlqimi i diellit i mbron nga vëzhgimet me teleskopë. Por astronomët arritën ta shmangin diellin, duke kryer vëzhgimin e tyre në muzg.

Një skuadër ndërkombëtare studiuesish i vëzhgoi trupat qiellorë duke përdorur teleskopin “Víctor M. Blanco”, me diametër 4 metra, të vendosur në Observatorin Amerikan në Cerro Tololo, Kili. Një prej asteroideve, i quajtur “2022 AP7”, është 1,5 kilometra i gjerë dhe rrugëtimi që po kryen mund ta sjellë në të ardhmen pranë Tokës, e mundësisht të përplaset me të. Por shkencëtarët e kanë të vështirë të dinë se kur do të ndodhë kjo. Autori kryesor i studimit, Scott S.Sheppard tha se:

Deri tani kemi gjetur dy asteroide pranë Tokës, me një diametër rreth 1 kilometër, të cilët ne i quajmë ‘planet vrasës’.

Dy asteroidet e tjerë, ndjekin një kurs lëvizjeje shumë më të sigurt për Tokën dhe nuk përbëjnë rrezik për të. Objekte pranë Tokës është një term që përdoret për asteroidet apo kometat që orbitojnë deri në 48,3 milionë kilometra nga Toka.

Përplasja nga një asteroid gjithmonë ka qenë temë e filmave të ndryshëm në botën e kinematografisë, por deri tani planeti ynë nuk është rrezikuar asnjëherë nga një i tillë, përveç rastit të hipotezës së shfarrosjes së dinozaurëve 66 milionë vite më parë. Së fundmi, rikujtojmë se NASA realizoi me sukses një eksperiment, duke goditur dhe devijuar trajektoren një asteroidi të vogël, me diametër 160 metra.Asteroidi i cili u godit qëllimisht nga sonda Dart e NASA-s ka lënë një gjurmë që shtrihet mijëra kilometra.