Ndërsa javën e ardhshme, Gjykata e Apelit në Tiranë duhet që të vendosë për vulën e Partisë Demokratike, Sali Berisha i cili e rimori drejtimin përmes zgjedhjeve të brendshme, tha sot se “3 marsi do të jetë ditë kushtrimi”. Komentet i bëri duke hequr paralele me 20 shkurtin, 32-vjetorin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. Berisha apeloi për t’iu bashkuar revolucionit!
Me aktet që ka kryer, Edi Rama përbën rrezik madhor ekzistencial për çdo shqiptar. Edi Rama është fatkeqësi kombëtare, por edhe ndërkombëtare me korruptimin e shefit të kundërinteligjencës amerikane, me qëllim rrënimin e opozitës shqiptare.
3 marsi është ditë kushtrimi. 20 shkurti frymëzon më shumë se çdo gjë tjetër, shqiptarët të ngrihen në një revolucion. Se vetëm nga një revolucion mund të përmbyset ky regjim që shkelmon votën, që shkelmon liritë, vjedh pasuritë, vjedh buxhetin, që nuk njeh normë, moral e ligj. Ata që e duan këtë vend, duhet të bashkohen me këtë revolucion.
Nuk duhet t’i trembë fjala revolucion, përkundrazi duhet t’i thërrasë ndërgjegjes së tyre se rrugë tjetër aty ku vdes vota, përveç revolucionit, nuk ka. Ndaj dhe ftoj të gjithë shqiptarët të bashkohemi në këtë revolucion, të vazhdojmë betejën tonë deri në fitoren e plotë të tij!
Ndërsa turma thërriste: Tërhiqe, tërhiqe, tërhiqe qelbësirën, monumenti në qendër të Tiranës u rrëzua në orën 14:05 minuta të 20 shkurtit 1991 e bashkë me të u shemb simboli i komunizmit, që Shqipërinë e la në izolim, teksa për afro 50 vjet, vendi përjetoi një prej diktaturave më të egra në Europë.
Zhvillimet e 20 shkurtit u paraprinë nga ato të 18 shkurtit 1991 kur studentë të Universitetit të Tiranës që në atë kohë mbante emrin e diktatorit Enver Hoxha, hynë në grevë urie. Rreth 100 mijë vetë lëvizën përmes rrugës së “Elbasanit”. Te Liceu, njerëzve u dolën policë me skafandra dhe armë. Turma çau përpara, drejt sheshit “Skënderbej” për betejën vendimtare.