Aktualitet

20 shkurt 1991, 32 vjet nga rrëzimi i shtatores së diktatorit Enver Hoxha!

Një kronikë e kohës fliste për diçka të pazakontë që ndodhte mëngjesin e 20 shkurtit 1991 në rrugët e Tiranës.

Mijëra njerëz, pothuaj nga të gjitha qendrat e punës së kryeqytetit: burra, gra, studentë, të rinj të shkollave të mesme, prindër të studentëve të mbyllur në grevën e urisë vërshuan në përkrahje të grevës së studentëve. Kjo është një tjetër grevë me përmasa të mëdha e popullit të kryeqytetit. Nga turma popullore u shkëputën qindra vetë duke iu drejtuar monumentit të Enver Hoxhës.

Ndërsa turma thërriste: Tërhiqe, tërhiqe, tërhiqe qelbësirën, monumenti u rrëzua në orën 14:05 minuta e bashkë me të u shemb simboli i komunizmit, që Shqipërinë e la në izolim, ndërsa për afro 50 vjet, vendi përjetoi një prej diktaturave më të egra në Europë.

Zhvillimet e 20 shkurtit u paraprinë nga ato të 18 shkurtit 1991 kur studentë të Universitetit të Tiranës që në atë kohë mbante emrin e diktatorit Enver Hoxha, hynë në grevë urie.

Rreth 100 mijë vetë lëvizën përmes rrugës së “Elbasanit”. Te Liceu, njerëzve u dolën policë me skafandra dhe armë. Turma çau përpara, drejt sheshit “Skënderbej” për betejën vendimtare.

Disa njerëz punuan te këmbët e monumentit, ku ishin vidat mbajtëse, ndërsa të tjerë i hodhën kavon në grykë. Pas rrëzimit, atmosfera ishte mjaft e ndezur. Të pranishmit shtyheshin për të shkelur me këmbë shtatoren që nëpërkëmbej dhe zvarritej në rrugës e Tiranës, e lidhur me kavo në një makinë plehrash, për t’u dërguar në mjediset e Qytetit “Studenti”, ku vazhdonte greva e urisë së studentëve.

Sytë e botës u kthyen nga Shqipëria e vogël. Më 20 shkurt 1991, thuajse të gjitha stacionet televizive jashtë vendit, raportuan për vullkanin e urrejtjes, që u zbraz mbi një shtatore shtatë metra të lartë e cila nuk ishte thjesht bronz, por simbolizoi rënien e një sistemi dogmatik që i kishte ardhur koha të ikte. Një nga kavot e përdorur për të tërhequr monumentin, gjendet i ekspozuar në Pavijonin e Terrorit Komunist, pranë Muzeut Historik Kombëtar.