Vendi i Winston Churchill në histori është siguruar nga roli i tij si udhëheqës i Britanisë së Madhe gjatë kohës së luftës, por pasioni i tij privat dhe i frytshëm për pikturën është më pak i njohur. Tani, një ekspozitë e re në Koleksionin Wallace të Londrës synon të eksplorojë jetën e tij si artist. Për shumë njerëz, Winston Churchill është më i njohur për mbajtjen e fjalimeve emocionuese gjatë kohës së luftës dhe pirjen e purove të majme, por kryeministri më i famshëm i Britanisë gjithashtu i pëlqente të pikturonte.
Kjo anë më pak e njohur e karakterit të tij është subjekt i një ekspozite të re në Koleksionin Wallace në Londër që kërkon të eksplorojë kreativitetin e tij. Organizatorët e ekspozitës e kanë përshkruar atë si ekspozitën më domethënëse të pikturave të Churchill për më shumë se 60 vjet. Ajo përfshin më shumë se 50 kanavacë, shumë prej të cilave rrallë shihen në publik. Churchill provoi për herë të parë të pikturonte gjatë Luftës së Parë Botërore pasi dha dorëheqjen nga qeveria në vitin 1915 për shkak të sulmit katastrofik detar të Dardaneleve.
Si Lord i Parë i Admiralitetit, ai gjithashtu pati një rol kyç në planifikimin e zbarkimit të Galipolit, i cili, ashtu si Dardanelet, rezultoi në viktima të mëdha. Kjo ishte një “kohë shumë e vështirë në jetën e tij” kur “papritmas e gjen veten me gjithë këtë kohë të lirë të padëshiruar”, tha Lucy Davis, bashkëkuratore e ekspozitës, për agjencinë franceze të lajmeve AFP.
Dhe ai zbuloi pikturën si një mënyrë për të çliruar stresin, ankthin që i kishte shkaktuar situata.
Ekspozita paraqet veprat e Churchill-it në mënyrë kronologjike, duke filluar me krijimet e tij të bëra me këshilla nga artisti i njohur John Lavery. Këto pasohen nga kanavaca të pikturuara në vitet 1920 në Chartwell, shtëpia fshatare ku Churchilli jetoi me familjen e tij. Kryesisht autodidakt, Churchill u interesua shpejt për pikturën e peizazhit dhe mori frymëzim nga pushimet në jug të Francës dhe Marokun për të krijuar kanavacë me ngjyra të ndezura të dominuara nga bluja dhe okra.