Mediat serbe raportojnë se Ushtria ka ngritur gatishmërinë luftarake në të gjithë territorin e Serbisë, për shkak të tensioneve në Kosovë. Një ditë më parë, Presidenti Aleksandër Vuçiç mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Takimi urgjent pasoi informatat se në veri, do të shpallej njëanshmërisht formimi i Asociacionit të Komunave Serbe. Kjo do të çonte në ndërhyrjen e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Por, përplasjet e mundshme u shmangën dhe Prishtina e Beogradi bënë vazhdimisht thirrje për përmbajtje e ruajtjen e qetësisë.