Live From Tirana Love & Sex

“Viagra nuk ka asnjë efekt tek…”/Psikologia Besarta Taçi: Ja pse dëshira seksuale rritet gjatë verës…

BEST OF LIVE FROM TIRANA

E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologia Besarta Taçi. Ajo ka folur më shumë mbi rritjen e dëshirës seksuale në verë, tabutë rreth seksit, por jo vetëm…

Pse trupi jonë ka dëshirën seksuale më të lartë gjatë verës? Çfarë ndodh, lirohemi nga frikërat dhe morali, është efekti i temperaturave, fakti që shohim më shumë trupa të ekspozuar?

Janë të gjitha këto bashkë, por sigurisht dhe në aspektin e ekspozimit të dritës dhe vitaminës D. Vitamina D rrit nivelin e testosteronit. Faktorët socialë, faktorët emocionalë, psikologjikë, hormonal, ndikojnë të gjitha. Dëshira seksuale është elementi më delikat. Ekziston një koncept shumë i gabuar tek meshkujt të paktën, që kërkojnë ndihmë në lidhje me disfunksionin erektil, shkojnë direkt tek andrologu, ose ndonjëherë edhe direkt në farmaci, marrin viagra, sepse kanë pasur një mosarritje në ereksion, që është krejtësisht normale dhe fiziologjike, por konceptualisht në aspektin mashkullor duhet të jemi gjithmonë në potencën tonë të lartë. Dhe ajo që nuk dinë këta meshkuj, është që viagra nuk ka asnjë lloj efekti tek dëshira seksuale. Është kaq delikate dëshira seksuale, qoftë në aspektin pozitiv, si për shembull që vera sjell vitaminën D, ekspozimi i të paktën 30 minuta në ditë në diell aktivizon një gjendje më të mirë edhe në aspektin e humorit. Humori ndikon në aspektin e dëshirës seksuale. Testosteroni rrit disponueshmërinë, energjinë, qarkullimin e gjakut. Dhe sigurisht elementi i të jetuarit ditën, organizimi i ditës, ku ka hapësirë edhe për sportin, edhe për të dalurat, ka hapësirë edhe për festat, automatikisht na bën ne që të jemi më shumë në kontakt me njerëzit e tjerë. Pastaj krijohet një mendësi, që nëse dimri është ideja ku unë duhet të punoj fort dhe verën dua të relaksohem dhe të kënaqem, mendja jonë hyn në një fokus sensorial dhe shqisor, ku duhet të bëj maksimumin për të shijuar ato pak ditë. Kështu që predispozita jonë është që të kënaqemi.