Victoria Beckham ka lënë të kuptohet se mund të shesë markën e saj të modës në të ardhmen, ndërsa biznesi i saj tashmë raportohet të ketë arritur vlerën marramendëse prej 100 milionë paundësh.
Ish-anëtarja e Spice Girls, e cila prej vitesh është fokusuar në industrinë e modës, foli hapur për mundësinë e shitjes së kompanisë gjatë një interviste për “Financial Times”.
Kur u pyet drejtpërdrejt nëse do ta shiste biznesin e saj, Victoria u përgjigj:
Nuk do të thoja kurrë kurrë dhe më pëlqen të shoh mundësitë. Por për momentin po shoh vetëm rritje.
Deklarata e saj ka tërhequr menjëherë vëmendjen, sidomos duke pasur parasysh se marka e saj dikur u përball me vështirësi financiare dhe mori hua rreth 30 milionë paund nga kompania e bashkëshortit të saj, David Beckham.
Sot, situata duket krejt ndryshe. Victoria tregoi se marka po përjeton një rritje të fortë dhe se planet për zgjerim janë tashmë në zhvillim.
Ajo zbuloi se pas suksesit të dyqanit të saj në London, po përgatitet të hapë dyqane të reja në New York City dhe Miami.
Deri tani kam qenë shumë e fokusuar te shitjet online, por dua të kontrolloj të gjithë eksperiencën e klientit kur hyn në dyqan
-tha ajo.
Victoria shtoi se objektivi i saj është të ndërtojë një “markë trashëgimie”, duke zgjeruar biznesin edhe në kategori të tjera ku ende nuk ka hyrë.
Kemi kaluar shumë kohë duke e ndërtuar dhe përmirësuar markën. Tani është koha për rritje. Dua ta ndërtoj këtë shtëpi
-u shpreh stilistja.
Deklaratat e saj kanë nxitur spekulime në industrinë e modës se marka Victoria Beckham mund të bëhet një nga marrëveshjet më të mëdha të shitjes në botën e luksit në vitet e ardhshme.