Procesi gjyqësor federal ndaj Sean “Diddy” Combs për trafik seksual dhe akuza për zhvatje vijoi të martën në Nju Jork, pas një pauze për shkak të pushimit të së hënës. Prokuroria dhe mbrojtja shkëmbyen debate për dëshmitë e mëparshme përpara se juria të ulej në sallë.
E para që dëshmoi ishte Capricorn Clark, ish-asistentja e Diddy-t, e cila foli për kërcënimet fizike nga ish-shefi i saj dhe për një episod ku ishte akuzuar për vjedhje bizhuterish.
Clark tregoi se kishte punuar më parë në Def Jam Records dhe më pas në Death Row Records. Ajo përmendi edhe marrëdhënien me Suge Knight, duke thënë se ai është babai i fëmijës së një shoqeje të saj.
Në kompaninë e Diddy-t, Clark mbikëqyri sektorin e grave në markën e veshjeve “Sean Jean”.
Gjatë dëshmisë së saj, ajo përshkroi ditën e parë të punës në vitin 2004, kur Diddy e kishte çuar në Central Park me një person të quajtur “Uncle Paulie”, të cilin e përshkroi si të ndërtuar si lojtar futbolli amerikan.
Ajo tregoi se Diddy i kishte thënë se, për shkak të së kaluarës së saj me Suge Knight:
Nëse ndodh diçka, mund të më duhet të të vras
– deklaratë që shkaktoi kundërshtim nga mbrojtja, por gjykatësi Arun Subramanian e lejoi dëshminë.
Clark gjithashtu dëshmoi se kishte parë Diddy në posedim të një arme në shtëpinë e saj dhe se ai kishte shprehur probleme me reperin 50 Cent.
Ajo rrëfeu për një incident ku u akuzua për vjedhje bizhuterish dhe u përball me një “interrogim” pesë-ditor, përfshirë një test poligrafi në një ndërtesë të rrënuar ku u kërcënua se, nëse dështonte testin, do ta hidhin në lumin East River.
Clark tha se ishte ndaluar të largohej gjatë këtyre seancave dhe se, pas kësaj, iu lejua të kthehej në punë. E pyetur pse nuk u largua nga puna, ajo tha:
Nëse do largohesha, do mendonin se kam vjedhur
Ajo rrëfeu gjithashtu se punonte vetëm me 4 orë gjumë në natë, paguhej 55 mijë dollarë në vit dhe nuk paguhej për orët shtesë.
Një pjesë tjetër e dëshmisë së saj përfshinte edhe qëndrimet në hotele të Diddy-t, ku sipas saj ai merrte gjithmonë me vete kamera dhe shishe të vogla me vaj për foshnja dhe lubrifikant.
Javën e kaluar, një tjetër asistente kishte dëshmuar për fiksimin e Diddy-t ndaj vjedhjeve të mundshme nga punonjësit, duke përmendur gjithashtu përdorimin e testit të poligrafit.
Ndërkohë, gjyqtari Subramanian diskutoi dëshmi të mëparshme që lidhen me incidentin e vitit 2012, kur makina Porsche e reperit Kid Cudi u hodh në erë me një koktej Molotov.
Prokuroria kundërshtoi një raport të një hetuesi që përfshinte prova të ADN-së, duke paralajmëruar se ajo mund të ndikonte gabimisht mbi perceptimin e jurisë, pasi ADN-ja ishte në përputhje me një femër.
Procesi vazhdon dhe pritet të zbulojë detaje të tjera të errëta nga jeta private dhe profesionale e Diddy-t.