Vijon aktive vatra e zjarrit në landfillin e Bushatit, por sipas autoriteteve, është izoluar dhe nuk paraqet rrezik për përhapje në zonat përreth.
Situata po menaxhohet e mbahet nën kontroll operacional nga strukturat në terren.
Në operacion janë angazhuar efektivë të shërbimit zjarrfikës të Vaut të Dejës, me tre automjete zjarrfikëse, në bashkëpunim me punonjësit e landfillit dhe Policinë Bashkiake. Ndihmë shtesë japin edhe njësitë nga bashkitë Shkodër, Lezhë, Tiranë e Kamëz, duke siguruar reagim të koordinuar.
Për izolimin e vatrave dhe kufizimin e përhapjes së zjarrit, po ashtu po përdoren mjete të rënda, përfshirë ekskavatorë e kamionë, ndërsa furnizimi me ujë vazhdon pa ndërprerje përmes autobotëve të angazhuar në terren.
Zjarri ka përfshirë kryesisht mbetje urbane. Autoritetet bëjnë apel për kujdes e paralajmërojnë se situata po monitorohet nga afër, ndërsa punojnë për të minimizuar dëmin mjedisor dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve.