Aktualitet Politikë

Vizita në Greqi, Rama: Mitsotakis ka vullnet për adresimin e çështjeve të mbartura!

Në podkastin e përjavshëm, kryeministri Edi Rama foli për vizitën në Emiratet e Bashkuara Arabe e në Greqi ku mori pjesë në Forumin Ekonomik të Delphit. Për takimin me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis, theksoi se kishte për qëllim adresimin e çështjeve të mbartura mes dy vendeve dhe ngritjen e marrëdhënieve në nivel të ri.

Më tej, nënvizoi se deri në fund të vitit pritet të nënshkruhet një dokument partneriteti strategjik, ndërsa Greqia do të vijojë mbështetjen e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit europian.

Falë angazhimit personal të Mitsotakis-it, ne do të adresojmë çështjet e mbartura e do të forcojmë edhe më shumë marrëdhënien tonë, përmes një kujdesi të posaçëm, qoftë për minoritetin grek në Shqipëri dhe komunitetin shqiptar në Greqi.

Vizitën në Abu Dabi, Rama e cilësoi si “akt solidariteti” në një moment të ndjeshëm për rajonin për shkak të luftës së SHBA-ve e Izraelit me Iranin, duke theksuar miqësinë e hershme mes Shqipërisë e Emirateve. Kryeministri u shpreh se marrëdhëniet dy palëshe janë forcuar ndjeshëm vitet e fundit, duke u shtrirë edhe në projekte strategjike që lidhen me modernizimin e Shqipërisë.

Ishte vizitë solidariteti dhe për të konfirmuar vëllazërinë që na lidh me atë vend dhe nga ana tjetër, besimin se Emiratet do ta kalojnë këtë fazë e do të dalin më të forta nga kjo sfidë e madhe. Nuk e ekzagjeroj kur them se presidenti i Emirateve të Bashkuara është një mik i spikatur i Shqipërisë.

Që në rininë e tij, ka ardhur në Shqipëri jo për turizëm, por për të udhëhequr grupin e dërguar nga i ati i ndjerë, në ndihmë të atyre shqiptarëve që braktisën shtëpitë në Kosovë dhe u dyndën në Shqipëri, duke u vendosur në një masë të madhe në Kukës për të ikur nga makineria vrastare e Milosheviçit.

Që atëherë mes dy vendeve është ndërtuar një marrëdhënie që në 10 vitet e fundit ka marrë një përmasë tjetër. Ishte pikërisht Sheikh Mohammed Bin Zayed që urdhëroi disbursimin e fondit më të madh të solidaritetit me Shqipërinë pas tërmetit dhe me atë fond është ndërtuar një lagje e tërë model në Durrës.

Nga ana tjetër, me Emiratet e Bashkuara na lidhin edhe punë e projekte të karakterit strategjik dhe të një natyre që kanë të bëjnë me rritjen dhe forcimin e Shqipërisë në rrugën e modernizimit të saj.

Konfirmoj se nga ana e presidentit dhe Emirateve edhe një herë tjetër mora një energji jashtëzakonisht pozitive për Shqipërinë dhe konfirmimin se miqësia jonë bëhet më e fortë dhe aleanca jonë do të fuqizohet hap pas hapi, me më shumë bashkëpunim e më shumë projekte dhe afrimitet të popujve tanë.