Bota

Von der Leyen: BE-ja e mirëpret pezullimin e tarifave nga Trump!

Ursula von der Leyen mirëpriti vendimin e presidentit Trump, për të pezulluar shumicën e tarifave amerikane. Por, zyrtarja e lartë nuk tregoi nëse Bashkimi Europian do t’i zbatojë apo jo masat e veta hakmarrëse. Vendet për të cilat vlen ky pezullim tani do të kenë tarifë prej 10%, pasi ajo bazë u mbajt.

Tarifa e vendosur ndaj BE-së ishte 20%, por nuk është plotësisht e qartë si do të ndikohet blloku me 27 vende. Pezullimi i tarifës nuk vlen për Kinën. Trump e rriti tarifën ndaj importeve kineze në 125%. Pezullimin e tarifave reciproke, von der Leyen e quajti “hap të rëndësishëm drejt stabilizimit të ekonomisë globale”.

Kushtet e qarta e të parashikueshme janë thelbësore që tregtia dhe zinxhirët e furnizimit të funksionojnë.

Para njoftimit të Trump-it, vendet anëtare të BE-së votuan për të miratuar tarifa hakmarrëse ndaj mallrave amerikanë, në vlerë 23 miliardë dollarë, si përgjigje ndaj tarifave të Trump-it prej 25% për çelikun dhe aluminin e importuar nga blloku. BE-ja, partnerja më e madhe tregtare e SHBA-ve, i përshkroi si “të paarsyeshme” e “të dëmshme”.

Tarifat do të hyjnë në fuqi në faza të ndryshme, disa më 15 prill, të tjera më 15 maj e 1 dhjetor. Komisioni Europian nuk dha ndonjë listë të mallrave të prekura. Sot Von der Leyen nuk tregoi asnjë shenjë se afati kohor i tarifave BE-së ndaj mallrave amerikane ka ndryshuar.

Anëtarët e BE-së, bllokut më të madh tregtar në botë përsëritën parapëlqimin e tyre për një marrëveshje të negociuar për t’i zgjidhur çështjet tregtare dhe von der Leyen e theksoi këtë angazhim, “me synimin për të arritur një tregti pa pengesa dhe me përfitime të ndërsjella”.

Megjithatë, shefja e degës ekzekutive të BE-së që negocion marrëveshje dhe mosmarrëveshje tregtare në emër të vendeve anëtare u shpreh se “Europa synon të ketë partneritete të shumëfishta tregtare”. Ajo tha:

BE-ja do të vazhdojë të angazhohet me vende që përbëjnë 87% të tregtisë globale dhe që ndajnë qëndrimin tonë për një shkëmbim të lirë dhe të hapur të mallrave, shërbimeve dhe ideve, si dhe për të hequr barrierat ndaj tregtisë brenda tregut të përbashkët. Së bashku, europianët do të dalin më të fortë nga kjo krizë.