Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ përfundoi procesin e dërgimit të zarfeve me fletët e votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga KQZ-ja, deri sot ora (09:10) janë marrë nga zgjedhësit 164 mijë e 22 zarfe, ndërsa 22 mijë e 534 kanë mbërritur në KQZ.
Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj. Çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, nuk konsiderohet e vlefshme. Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë. Aty po përgatiten dhe dërgohen fletët e votimit dhe po aty do të kryhet numërimi i votave të diasporës.
Në një tjetër zhvillim të lidhur me zgjedhjet, policia e Bulqizës njofton se dje pas një takimi elektoral të Partisë Demokratike në Ostren, dyshohet se deputeti demokrat Xhelal Mziu dhe nipi i tij kanë goditur me grushta, një punonjës të njësisë administrative. Paraprakisht, mësohet se i dhunuari, i identifikuar si shtetasi Kalosh Murra, mban detyrën e përgjegjësit të ndihmës ekonomike.
Njoftimi i policisë:
Bulqizë/Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasit Xh.M., 58 vjeç dhe E.M., 36 vjeç, xhaxha e nip, të dy banues në Tiranë, sepse rreth orës 13:00 të datës 24.04.2025, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte, shtetasin K.M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren.