Aktualitet Zgjedhjet 2025

Votimi në Greqi, DHL: Çdo dërgesë zarfi ka provë dorëzimi!

Kompania Postare DHL, e cila ka bërë shpërndarjen e fletëve të votimit për votuesit e regjistruar jashtë vendit, i ka kthyer përgjigje Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në lidhje me kërkesën e tij për informacione mbi procesin e shpërndarjes së dokumentacionit zgjedhor në Greqi. Sipas kompanisë, çdo dërgesë ka provë dorëzimi. Nga të gjitha kërkesat për verifikim, janë vetëm 5 raste në total në të gjitha vendet përfshirë Greqinë, që janë në ndjekje për verifikim. Çdo dërgesë e dorëzuar ka provë dorëzimi. 4 779 të tilla janë marrë nga korrierët në shtëpi në kthim.

18 489 dërgesa janë dorëzuar nga votuesit në pikat e shërbimit DHL dhe 25 920 dërgesa janë dorëzuar në pikat e partnerëve lokalë të DHL-së.

Më tej, në kthimin e përgjigjes së DHL-së thuhet se “dërgesat janë procesuar në përputhje me procedurat standarde të cilat përfshijnë Direct Signature (firmosje të personit marrës) në dorëzim.

Partnerët lokalë janë pjesë e rrjetit me të cilët DHL Greqi bashkëpunon (ExclusiveTrusted Partners), që ndoqën dhe plotësuan tërësisht procedurat e përcaktuara nga DHL-ja, përfshirë procesin e dërgesave të zgjedhjeve në Shqipëri, theksohet në letër.

Sipas DHL-së “të gjithë marrësve të dërgesave pa përjashtim iu është dërguar SMS ose e-mail.

Njoftimet janë bërë që në krijimin e AWB-së (numrit të gjurmimit) në Tiranë e në vazhdimësi në mënyrë të përsëritur, përfshirë vendndodhjen e dërgesës në pikat e shërbimit kur dërgesa nuk është bërë e mundur të dorëzohet apo ka patur adresë të gabuar. Ky është standardi që është bërë në çdo vend, përfshirë Greqinë, thuhet në përgjigjen e DHL-së.

Letra e DHL-së vjen mes debatit që ka ngritur kërkesa e Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që kutitë me zarfet e fletëve të votimit që vijnë nga Greqia të trajtohen në mënyrë të veçantë e të mos bashkohen me votat e tjera.