Aktualitet

Vrasja e Hekuran Çumanit në Perugia, policia në kërkim të një tuniziani!

Identifikohet autori i vrasjes së shqiptarit Hekuran Çumani, 23-vjeç, i goditur për vdekje me thikë gjatë sherrit jashtë një lokali në zonën universitare të Perugias. Nga policia italiane thuhet se arrestimi i tij është çështje orësh. Bëhet fjalë për një të ri me origjinë nga Tunizia. Miqtë e Çumanit dhanë informacione specifike që u konfirmuan nga dëshmitarët e shumtë.

Nga mediat në vendin fqinj, mësohet se fillimisht pati një përplasje fizike që nisi nga grupi i miqve të agresorit në mjediset e pub-it 100Dieci, për t’u zhvendosur jashtë në orët e para të ditës së djeshme.

Dy thika

Siç ndodhte shpesh, Hekurani, vëllai i tij Samueli dhe disa miq kishin lëvizur nga Fabriano për në rajonin e Marches, për të kaluar mbrëmjen në Perugia. Dy grupet, rreth 20 vetë, u kapën mes tyre për çështje shikimi apo një fjalë më tepër. Pastaj jashtë, rinisi debati që dukej se ishte shuar.

Ishte aty që u shfaqën dy thika, një më e madhe dhe një më e vogël. Sipas dëshmitarëve, ato i mbante i njëjti person, një tunizian i ri në moshë. Fillimisht plagosi lehtë Samuelin e më pas u hodh drejt Hekuran Çumanit, duke e goditur në gjoks, çka rezultoi fatale.

Vrasësi mund t’i ketë marrë më vonë thikat pasi në klub kalohet nëpër një detektor metalesh, kështu që dukej se nuk kishte armë me vete. Asnjë prej thikave nuk është gjetur e agresori u largua, i ndihmuar nga një grup personash.