Rajoni

Vritet me thikë një 47-vjeçar në Dragash të Prizrenit, autori në arrati!

Një person ka humbur jetën mbrëmjen në fshatin Zlipotok të Dragashit, Prizren pas rrahjes mes disa personave. Sipas policisë, viktima dyshohet se paraprakisht ka pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë.

Ai është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Dragash, ku mjeku roje ka konstatuar vdekjen e tij. Viktima ishte imam në këtë komunë.

Pas arritjes së ekipit mjekësor nga QKMF Dragash, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, G.T., mashkull rreth 47-vjeçar nga Zlipotoku i Dragashit.

I dyshuari është identifikuar si B.H., mashkull 40-vjeçar nga Zlipotoku. Policia është duke ndërmarrë veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Stacionit Policor në Dragash, komandanti i stacionit, si dhe është njoftuar Njësia Rajonale e Hetimeve në Prizren, të cilës më vonë i janë bashkuar edhe njësi të tjera policore.

Hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim me prokurorin e shtetit ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.