Tech

X në kolaps në mbarë botën, çfarë po ndodh me rrjetin social?

Platforma X, e drejtuar nga Elon Musk, ka përjetuar një ndërprerje të gjerë shërbimi që ka prekur përdoruesit në mbarë botën. Sipas të dhënave nga Downdetector, problemi ka arritur kulmin pak para orës 15:00, me mijëra raporte për ndërprerje të shërbimit në vende të ndryshme. Në disa rajone, përdoruesit kanë pasur vështirësi për t’u kyçur në llogaritë e tyre, për të ngarkuar postime ose për të dërguar mesazhe.

Kompania nuk ka ofruar ende një deklaratë zyrtare për shkakun e këtij problemi. Një ndërprerje e ngjashme ndodhi më 10 mars 2025, kur Musk e cilësoi si një “sulm masiv kibernetik” të realizuar nga një grup i koordinuar ose një shtet. Për momentin, disa përdorues kanë raportuar përmirësime të shërbimit, por ende ka pasiguri nëse problemi është zgjidhur plotësisht. Për ata që kanë vështirësi të qasen në platformë, përdorimi i një VPN mund të jetë një zgjidhje e përkohshme.

Sipas një raporti të ri të publikuar në rrjetin social X, në pronësi të Elon Musk, evropianët po e braktisin masivisht këtë platformë. Të dhënat më të fundit të publikuara këtë javë nga X të cilat kompania ishte e detyruar t’i bëjë publike për t’u përputhur me rregulloren kryesore teknologjike të Bashkimit Evropian, Ligjin për Shërbimet Digjitale tregojnë një rënie të ndjeshme të numrit të përdoruesve në Evropë. Që nga gushti i vitit të kaluar, platforma ka humbur 11 milionë përdorues evropianë, me largimet më të mëdha të regjistruara në Francë (2,7 milion), Poloni (1,8 milion) dhe Gjermani (1,3 milion).