Të ftuar në pjesën e dytë të emisionit “Ndryshe” me Salsano Rrapi dhe Elona Duro kanë qenë Danja Koka, Alban Male dhe Ilir Shaqiri, ku ky i fundit ka qenë nëpërmjet një lidhjeje telefonike. Arsyeja përse këto figura janë bërë bashkë në këtë intervistë është pikërisht për emisionin e ri “Yjet e Diasporës”, ku ndanë me publikun emocionet dhe pritshmëritë për këtë projekt të ri televiziv. Danja, e cila mban rolin e prezantueses, shpjegoi me entuziazëm vizionin pas këtij formati, i cili përgjatë këtyre javëve ka evidentuar talentet shqiptare në mbarë botën. Ndërkohë, Alban Male dhe Ilir Shaqiri, dy figura të njohura të artit dhe ekranit, janë pjesë e jurisë për netët e gjysmëfinales dhe finales, duke sjellë ekspertizën, profesionalizmin dhe ndjeshmërinë e tyre në vlerësimin e pjesëmarrësve.
“Yjet e Diasporës” është një emision i dedikuar shqiptarëve që jetojnë dhe krijojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, një platformë që shërben për të promovuar historitë e suksesit, talentin dhe përkushtimin e tyre në fusha të ndryshme si muzika, arti, sporti dhe sipërmarrja. Ky format televiziv synon jo vetëm të krijojë një lidhje më të fortë mes diasporës dhe vendit të origjinës, por edhe të frymëzojë të rinjtë me modele reale suksesi. Me një përzgjedhje të kujdesshme të konkurrentëve dhe një juri të balancuar mes profesionalizmit dhe ndjeshmërisë njerëzore, “Yjet e Diasporës” është një ndër emisionet më domethënëse dhe emocionuese të sezonit në Top Channel.
Si ishte kjo eksperiencë si moderatore e këtij spektakli për Danjën?
Po kisha këtë petkun e përgjegjësisë që duhet të dilja shumë mirë për regjinë. Aty e kisha mendjen unë për regjinë, ndërsa me publikun ishte shumë më e thjeshtë. Sa të mirë që ishin ata. Me duartrokitje, me ovacione, kanë qenë fantastik. Shumë prej tyre ishin mbështetës të konkurrentëve që merrnin pjesë, kështu që ndaj them që me publikun ishte më e thjeshtë e gjitha.
A është ky një fillim i mbarë për të drejt kësaj fushe?
Uroj të jetë, por kjo është prova e parë për mua. Jo më kot them që isha nën petkun e përgjegjësisë se ishte sikleti më i madh. Ishte prova e parë për mua dhe vazhdon sepse kemi edhe gjysmëfinalen e dytë dhe finalen.
I pyetur nëse shqiptarët janë popull i talentuar, aq më tepër brenda ose jashtë kufinjve tanimë që ata kanë shëtitur në të gjithë Diasporën, Alban Male u shpreh:
Them se po. Kjo sidomos në raport me numrin e popullsisë që ne jemi. Se tani është e rëndësishme edhe kjo. Në Itali që ka më shumë banorë, sigurisht që është numri më i madh. Unë e thashë edhe aty, por ky ndoshta është mendimi im personal. Në Shqipëri ne kemi një farë uniformizimi artistik le të themi që njerëzit i drejtohen një gjëje të sigurtë. Për shembull, bëjnë një këngë komerciale dhe kaq. Është shumë e vështirë të gjesh në Shqipëri dikë që bën artin e vet, për të mbushur artistikisht veten dhe pastaj ta çojnë këtë art tek të tjerët.
Ilir Shaqiri, përveç se është kryetar i jurisë, ka qenë edhe ideatori i këtij projekti. Sa i kënaqur është ai me realizimin?
Jam realisht super i kënaqur dhe i realizuar mbi të gjitha se falë një pune kolosale që është bërë, ja dolëm që ta shikonim këtë pjellë në studio aty dhe ta shijonim që nga momenti i parë e deri në fund. Ishte një eksperiencë unike. Emocionet janë shumë të veçanta sepse përcjellin një lloj identiteti që secili nga konkurrentët ka në vetvete dhe kjo është gjëja më e veçante që spektakli ka, përveç se anës artistike që spektakli ka.