Teksa tensionet në familjen Beckham vazhdojnë të përfliten në media, detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me martesën e Brooklyn Beckham dhe Nicola Peltz.
Sipas raportimeve të mediave britanike, çifti ka nënshkruar një marrëveshje paramartesore përpara dasmës së tyre luksoze në vitin 2022, e cila parashikon që Brooklyn të mos ketë asnjë përfitim financiar nga pasuria e familjes Peltz në rast divorci.
Marrëveshja, e cilësuar si mjaft e rreptë, thuhet se i heq Brooklyn çdo të drejtë mbi asetet e familjes së bashkëshortes së tij, përfshirë edhe një rezidencë luksoze në Beverly Hills me vlerë rreth 16 milionë dollarë, e cila administrohet nga Fondacioni Peltz.
Po ashtu, dokumenti thuhet se përjashton Brooklyn nga çdo pretendim mbi pronat, investimet apo përfitimet financiare që lidhen me Nicolën dhe familjen e saj.
Këto zhvillime vijnë në një moment të ndjeshëm për marrëdhënien e Brooklyn me prindërit e tij, David dhe Victoria Beckham, të cilët ai i ka akuzuar publikisht për ndërhyrje në martesën e tij dhe për përqendrim të tepruar tek imazhi publik i familjes.
Burime pranë Beckhamëve bëjnë të ditur se çifti është i shqetësuar se kjo marrëveshje mund të kufizojë pavarësinë personale dhe profesionale të Brooklyn në të ardhmen, duke e vendosur atë në hijen e një prej familjeve më të fuqishme dhe më të pasura në SHBA.
Megjithatë, vetë Brooklyn duket i vendosur në qëndrimin e tij. Ai ka lënë të kuptohet se nuk synon pajtim me familjen dhe ka shprehur pakënaqësi ndaj mënyrës se si ata paraqiten dhe reagojnë në rrjetet sociale.